Kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarit për vjedhje në një argjendari në Prizren, Prokuroria jep detaje

Prokuroria Themelore në Prizren, ka njoftuar opinionin publik se, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe pas një pune operative, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë arritur që me datë 24.01.2025 të arrestojnë personin me inicialet Sh.H., nga fshati Greme – Komuna e Ferizajt, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje ka kryer…

Lajme

26/01/2025 15:41

Prokuroria Themelore në Prizren, ka njoftuar opinionin publik se, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe pas një pune operative, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë arritur që me datë 24.01.2025 të arrestojnë personin me inicialet Sh.H., nga fshati Greme – Komuna e Ferizajt, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Vjedhja e rëndë”.

Në njoftimin e lëshuar nga Prokuroria thuhet se i pandehuri i arrestuar, dyshohet se me datë 12.01.2025, rreth orës 03:45min, në njërën prej argjendarive në Prizren, duke vepruar në bashkëveprim me të pandehurit tjerë NN (gjer më tani të paidentifikuar), pas një planifikimi paraprak dhe koordinimi në mes vete, me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme, ia marrin pasurinë të dëmtuarit A.B., (pronar i argjendarisë), në atë mënyrë që duke shfrytëzuar momentin kur në lokalin e të dëmtuarit nuk ishte askush, me përdorim të forcës fizike dhe të pajisur me mjete të përshtatshme e hapin derën e lokalit dhe e dëmtojnë alarmin, ku hyjnë brenda në lokal. Më pas depërtojnë në lokal, e dëmtojnë kasafortën dhe arrijnë ta hapin dhe të marrin 3 kg ari ( tre kilogram) dhe 1 kg argjend (një kilogram) në vlerë prej 168.000.00 € (njëqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë euro) dhe pastaj të pandehurit largohen nga dera kryesore në drejtim të panjohur.

Po ashtu, lidhur me rastin me kërkesë të Prokurorisë Themelore në Prizren, është lëshuar urdhërkontrolli nga Gjykata Themelore në Prizren, ku janë kontrolluar objekti i banimit i të dyshuarit së bashku me objektet përcjellëse në fshatin Greme. Gjatë kontrollit janë gjetur dëshmi dhe prova të shumta të cilat janë sekuestruar.

Tutje bëhet e ditur se si provë materiale është sekuestruar automjeti me të cilin është kryer vepra penale.

Ndryshe Prokuroria Themelore në Prizren, për të pandehurin Sh.H., brenda afatit ligjor ka parashtruar kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.

“Prokuroria Themelore në Prizren, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin”, thuhet në njoftim. /Lajmi.net/