“Kemi bërë marrëveshje parimore, për shtet pa korrupsion”- Ja çka thonin Kurti e Osmani kur zyrtarizuan koalicionin, por tani “të ndarë përgjithmonë”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, janë dy personat që kur garuan bashkë në një listë, arritën të korrin një fitore të madhe. Ata të dy, para se të dinin nëse do të fitonin apo jo, i kishin ndarë rolet mes tyre, Kurti do të ishte Kryeministër e Osmani do…
Lajme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, janë dy personat që kur garuan bashkë në një listë, arritën të korrin një fitore të madhe.
Ata të dy, para se të dinin nëse do të fitonin apo jo, i kishin ndarë rolet mes tyre, Kurti do të ishte Kryeministër e Osmani do të ishte Presidente, duke bërë kështu një dyshe që nuk pritej se do të ndaheshin keq.
Para zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, Kurti e Osmani dolën para mediave të konfirmonin atë që veçse dihej e përflitej.
Para mediave, Osmani ia la Kurtit “nderin” të zyrtarizonte koalicionin mes tyre.
“Me subjektet tona politike, do të na gjeni në të njëjtin vend dhe për të njëjtin qëllim. Kemi bërë marrëveshje parimore, për një shtet me drejtësi dhe pa korrupsion, shoqëri me punësim, arsim për të gjithë qytetarët. Në fushatën zgjedhore do të jemi dhe angazhohemi bashkë”, kishte thënë Kurti më 14 janar 2021.
Në këtë marrëveshje specifikoheshin qartë postet që do të kishin ata të dy.
“2020 ka treguar se Kosova ka nevojë për Kryeministër të ri, por edhe për Presidente të re”, thoshte Kurti atë kohë.
Para mediave foli edhe Osmani e cila thoshte se bashkimi mes tyre ishte përtej asaj të një liste, por ishte bashkim rreth kauzës parimore.
Në zgjedhjet e shkurtit të 2021-ës, VV në listën e përbashkët me Guxon e Osmanit kishte marrë 50,28%, duke e konstituuar kështu Kuvendin dhe formuar Qeverinë e Kosovës.
Në krye të Kuvendit të Kosovës u emërua Glauk Konjufca nga VV, në krye të Qeverisë Albin Kurti për t’i hapur kështu rrugë edhe zgjedhjes së Presidentit.
Më 4 prill të 2021-ës, Vjosa Osmani në garë me Nasuf Bejtën, e fitoi atë në raundin e tretë të votimit me 71 vota për, ndërsa në sallë ishin 82 deputetë.
Në këtë seancë nuk morën pjesë deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ata të Listës Serbe. Kuorumin për zgjedhjen e Osmanit ia mundësoi ish-partia e saj, Lidhja Demokratike e Kosovës, që është në opozitë.