KDI: Kuvendi duhet të konstituohet brenda afatit, dialogu politik mund të vazhdojë paralelisht

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka shprehur keqardhje që Kuvendi i Kosovës nuk u konstituua në seancën e sotme, ndonëse ajo u mbajt pasi ishin konsumuar 29 nga 30 ditët e afatit kushtetues për përfundimin e këtij procesi. Sipas KDI-së, mosushtrimi i së drejtës kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje, si subjekti politik me numrin më të…

Lajme

06/08/2026 16:44

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka shprehur keqardhje që Kuvendi i Kosovës nuk u konstituua në seancën e sotme, ndonëse ajo u mbajt pasi ishin konsumuar 29 nga 30 ditët e afatit kushtetues për përfundimin e këtij procesi.

Sipas KDI-së, mosushtrimi i së drejtës kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje, si subjekti politik me numrin më të madh të deputetëve, për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit, pamundësoi vazhdimin e procedurës dhe çoi në ndërprerjen e seancës, raporton lajmi.net

Megjithatë, KDI thekson se ndërprerja e seancës nuk përbën në vetvete shkelje të afatit kushtetues, pasi ai ende nuk ka përfunduar. Instituti rikujton se, në përputhje me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, seanca konstituive duhet të përmbyllet më së voni deri nesër, duke përfshirë zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve të Kuvendit.

KDI mirëpret çdo përpjekje për dialog dhe marrëveshje politike ndërmjet subjekteve parlamentare, por nënvizon se konsultimet politike nuk e pezullojnë detyrimin kushtetues për konstituimin e Kuvendit brenda afatit të përcaktuar.

Sipas institutit, takimet dhe negociatat politike mund të vazhdojnë paralelisht, veçanërisht për çështjen e zgjedhjes së Presidentit, por fillimisht duhet të përfundojë konstituimi i Kuvendit, në mënyrë që të nisin procedurat e tjera kushtetuese, përfshirë afatin 60-ditor për zgjedhjen e kreut të shtetit.

Në fund, KDI i bën thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të ushtrojë pa vonesë të drejtën dhe përgjegjësinë kushtetuese për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit, ndërsa u kërkon të gjithë deputetëve të marrin pjesë në procesin e votimit dhe të kontribuojnë në konstituimin e plotë të institucionit ligjvënës./Lajmi.net/