Iu vendos “GPS” në veturë, Policia njofton se kanë nisur hetimet në rastin e Vehbi Kajtazit

Gazetari dhe analisti, Vehbi Kajtazi ditë më parë ka njoftuar se po përndjeket e përgjohet nga agjentë sekretë të Agjencisë Kosovare për Intelegjencë. Ndërsa sot, Kajtazi theksoi se kishte dërguar veturën e tij për kontroll, por gjatë kontrollit është zbuluar se në veturën e tij ishte vendosur një pajisje e dyshimtë në anën e majtë…

Lajme

31/10/2024 16:07

Gazetari dhe analisti, Vehbi Kajtazi ditë më parë ka njoftuar se po përndjeket e përgjohet nga agjentë sekretë të Agjencisë Kosovare për Intelegjencë.

Ndërsa sot, Kajtazi theksoi se kishte dërguar veturën e tij për kontroll, por gjatë kontrollit është zbuluar se në veturën e tij ishte vendosur një pajisje e dyshimtë në anën e majtë afër gomës.

Teksa disa orë më vonë është zbuluar se në anën e majtë të gomës ishte vendosur një mjet përgjues “GPS”.

Gjurmuesi ishte vendosur me magnet në pjesën e jashtme të dyshemesë së veturës së gazetarit, në anën e majtë, në afërsi të rrotës.

Pajisja është një “Lighbug Pro”, gjurmues automjetesh, prodhim britanik, bazuar në të dhënat publike.

Pajisja është tërhequr nga njësitet e deminimit të Policisë së Kosovës, pasi gazetari Kajtazi e ka lajmëruar rastin te organet e rendit.

Në lidhje me këtë çështje nga Policia e Kosovës kanë thënë se rastin janë duke u trajtuar në bashkëpunim me prokurorinë për të sqaruar rrethanat dhe dyshimet e tjera, përfshirë këtu edhe angazhimin e profesionistëve të Policisë së Kosovës që merren me trajtimin e mjeteve apo pajisjeve të dyshimta.

“Është intervistuar gazetari në fjalë dhe këto informacione (edhe një pajisje/dëshmi që sipas informatave fillestare dyshohet të jetë GPS), janë duke u trajtuar në bashkëpunim me prokurorinë për të sqaruar rrethanat dhe dyshimet e tjera, përfshirë këtu edhe angazhimin e profesionistëve të Policisë së Kosovës që merren me trajtimin e mjeteve apo pajisjeve të dyshimta. Për mbarëvajtjen dhe rezultatet e hetimeve që po realizohen në bashkëpunim me prokurorinë, do te njoftoheni me kohe”, tha zëdhënësi i policisë Daut Hoxha. /Lajmi.net/