IPK rekomandon suspendimin e tre policëve në Prizren, dyshohen për shkelje gjatë detyrës dhe ryshfet

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin nga detyra të tre zyrtarëve policorë të Stacionit Policor “Alfa” në Prizren, pas dyshimeve për shkelje gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare. Sipas IPK-së, hetuesit kanë nisur veprimet fillestare hetimore lidhur me reagimet dhe veprimet policore të këtyre zyrtarëve, pas dyshimeve se nuk kanë vepruar në përputhje me…

Lajme

16/06/2026 13:28

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin nga detyra të tre zyrtarëve policorë të Stacionit Policor “Alfa” në Prizren, pas dyshimeve për shkelje gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

Sipas IPK-së, hetuesit kanë nisur veprimet fillestare hetimore lidhur me reagimet dhe veprimet policore të këtyre zyrtarëve, pas dyshimeve se nuk kanë vepruar në përputhje me obligimet ligjore gjatë një rasti të trajtuar më 11 qershor 2026.

Nga hetimet preliminare dyshohet se zyrtarët policorë, pas ndalimit të automjeteve të paregjistruara dhe motoçikletave që qarkullonin në kundërshtim me ligjin, nuk kanë vazhduar procedurat e parapara dhe kanë lejuar largimin e personave të dyshuar pa ndërmarrë masat përkatëse.

IPK bën të ditur se ekzistojnë dyshime se veprimet e tyre mund të lidhen me veprën penale “marrje e ryshfetit”, të sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Hetimet po zhvillohen nga Departamenti i Hetimeve në IPK, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit.

Sipas IPK-së, rekomandimi për suspendim është bërë për të mos ndikuar në procesin hetimor dhe për të garantuar pavarësinë dhe paanshmërinë e hetimeve. /Lajmi.net/