Hetimi i BKS-së zgjeron aksionin te “Reforma SH.P.K.” – Azem Rusinovci nën hetime për keqpërdorime milionëshe

Një hetim penal i gjerë lidhur me keqpërdorimet milionëshe në Byronë Kosovare të Sigurimeve është zgjeruar duke përfshirë edhe kompaninë e njohur “Reforma SH.P.K.”, që operon në sektorin e shitblerjes dhe servisimit të veturave. Mbi 40 persona po hetohen në lidhje me rastin, ndërsa nga aksioni i fundit janë arrestuar 39 individë dhe janë bllokuar…

Lajme

08/01/2026 16:07

Një hetim penal i gjerë lidhur me keqpërdorimet milionëshe në Byronë Kosovare të Sigurimeve është zgjeruar duke përfshirë edhe kompaninë e njohur “Reforma SH.P.K.”, që operon në sektorin e shitblerjes dhe servisimit të veturave.

Mbi 40 persona po hetohen në lidhje me rastin, ndërsa nga aksioni i fundit janë arrestuar 39 individë dhe janë bllokuar para në vlerë mbi 1 milion euro, raporton lajmi.net

Hetimet lidhen kryesisht me ish-drejtorët e BKS-së, Sami Mazreku dhe Valon Berisha, të cilët dyshohet se përmes bashkëpunimit me persona të tjerë të dyshimtë kanë përfituar miliona euro përmes transaksioneve të shumta bankare dhe shpërblimeve për aksidente shpesh të pavërteta.

Sipas hetuesve, “Reforma SH.P.K.”, kompani e njohur si shitës dhe servis i autorizuar për Volkswagen (VW) dhe Audi, ka qenë e përfshirë në këtë skemë.

Dokumentacioni afarist dhe struktura e kompanisë dyshohet të jenë përdorur në mënyrë të kundërligjshme për të mbuluar përfitimet e paligjshme nga BKS.

Pronari i kompanisë, Azem Rusinovci, i cili figuron edhe në Agjensinë e Regjistrimit të Bineseve të Kosovës po hetohet në cilësinë e personit përgjegjës të personit juridik, për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike, falsifikim dhe përdorim të dokumenteve, si dhe bashkëkryerje të veprave penale në vazhdimësi.

Hetimi ka nxjerrë në pah lidhje financiare dhe dokumentare mes BKS-së dhe “Reforma SH.P.K.”, duke treguar se përfitimet milionëshe kanë kaluar përmes veprimtarisë afariste të kompanisë, që përfshin shitblerjen e veturave, riparimet pas aksidenteve dhe shërbime të tjera mekanike.

Aksioni i fundit është zhvilluar në të gjitha komunat e vendit, ndërsa hetimet vazhdojnë për të zbardhur plotësisht skemën e keqpërdorimeve, që konsiderohet ndër skandalet më të rënda financiare në Kosovë.

I çuditshëm është fakti se dyshohet se krimi në këtë rast është organizuar e zhvilluar në disa komuna, ashtu siç edhe janë të regjistruara disa biznese në këtë emër./Lajmi.net/