Haxhiu firmos dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë: Askush nuk mund t’i mbajë peng institucionet e Kosovës

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se ka nënshkruar dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, të cilët kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022. Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu tha se ky veprim vjen pas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), duke theksuar se…

Lajme

21/07/2026 10:12

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se ka nënshkruar dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, të cilët kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022.

Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu tha se ky veprim vjen pas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), duke theksuar se me këtë akt përmbyllet një proces që kishte mbetur i hapur për vite me radhë.

“Pas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, të cilët kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022, kam nënshkruar dekretet për lirimin e tyre nga detyra. Me këtë akt përmbyllet një proces i zgjatur për vite me radhë dhe zbatohet vendimi i institucionit kompetent, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka theksuar se funksionimi i shtetit bazohet në rendin kushtetues dhe sundimin e ligjit, duke shtuar se institucionet nuk mund të mbahen peng nga procese të papërfunduara.

“Shteti ynë funksionon mbi parimet e rendit kushtetues dhe sundimit të ligjit. Askush nuk mund të mbajë peng funksionimin e institucioneve dhe as të krijojë paqartësi juridike përmes proceseve të papërfunduara”, është shprehur ajo.

Në fund, ushtruesja e detyrës së Presidentes ka ritheksuar se Republika e Kosovës do të vazhdojë të veprojë në përputhje me ligjin dhe në mbrojtje të institucioneve të saj.

“Republika e Kosovës do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri, në përputhje me ligjin dhe në mbrojtje të integritetit të institucioneve të saj”, ka përfunduar Haxhiu. /Lajmi.net/