Gërvalla në vendlindjen e tij e quan Haradinajn “të ashtuquajtur hero të Çakorrit” dhe “gjeneral të vetëshpallur”

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla nuk u kursye aspak ndaj sulmeve e akuzave të saj drejtuar kandidatit për kryeministër nga Koalicioni për Kosovën Fituese, Ramush Haradinaj edhe në vendlindjen e tij. Ajo në një tubim elektoral të koalicionit LVV-Guxo në Deçan, zgjodhi të flas ndaj kreut të AAK-së, duke e quajtur…

Lajme

26/01/2025 18:36

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla nuk u kursye aspak ndaj sulmeve e akuzave të saj drejtuar kandidatit për kryeministër nga Koalicioni për Kosovën Fituese, Ramush Haradinaj edhe në vendlindjen e tij.

Ajo në një tubim elektoral të koalicionit LVV-Guxo në Deçan, zgjodhi të flas ndaj kreut të AAK-së, duke e quajtur atë “gjeneral të vetëshpallur”, shkruan lajmi.net.

“Ju e njihni të ashtuquajturin hero të Çakorrit që ju premton anëtarësim të NATO-s për tre muaj madje. Vëllezër, Kosova në NATO nuk hyn as me gjeneralë të vetëshpallur e as me katër milionë euro buxhet në vit për ushtri siç ishte më parë.  Ende pa i fshirë fotografitë me Radojçiqin, thotë që kryeministri dhe qeveria e juaj qenka bashkëpunëtore e Serbisë. Ky kryeministër që Radojçiqin e mposhti në Banjskë, ia shkatërroi bandat, ia konfiskoi pasurinë marramendëse e dëboi nga Kosova, dhe e izoloi përgjithmonë në Serbi”, tha ajo në Deçan.

Ramush Haradinaj, vjen nga fshati Gllogjan i Deçanit dhe është një nga figurat më të spikatura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) i cili si komandant i Zonës Operative të Dukagjinit,udhëhoqi disa nga betejat më të ashpra kundër forcave serbe.

Dy vëllezërit e tij, Shkëlzeni dhe Luan Haradinaj, ranë dëshmorë në përpjekje për të mbrojtur atdheun.

Luan Haradinaj humbi jetën në vitin 1997 gjatë një përleshjeje të armatosur, ndërsa Shkëlzeni u vra në një betejë të ashpër gjatë luftës në vitin 1999.