KQZ njofton se janë refuzuar afro 5 mijë pako me fletëvotime nga votimi jashtë vendit
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka mbajtur sot konferencë për media. Në këtë konferencë ai ka njoftuar për procesin e verifikimit të votave nga votimi jashtë vendit, shkruan lajmi.net. Ai ka thënë se të shtunën, në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve, ka filluar skanimi i listës së votuesve nga 2533 vendvotime…

Lajme
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka mbajtur sot konferencë për media.
Në këtë konferencë ai ka njoftuar për procesin e verifikimit të votave nga votimi jashtë vendit, shkruan lajmi.net.
Ai ka thënë se të shtunën, në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve, ka filluar skanimi i listës së votuesve nga 2533 vendvotime të rregullta në të cilat nënshkruhen votuesit që marrin pjesë në votim.
Siç ka njoftuar Elezi, skanimi i listës së votuesve, të vendvotimeve të rregullta është i domosdoshëm para se të fillon numërimi i votave nga vendvotimet me kusht sepse ndihmon që të sigurohen se askush nuk ka votuar dy herë në vendvotimin e rregullt dhe në vendvotimin me kusht.
Ai ka thënë se pasi të kryhen këto procese, do të mund të fillojmë numërimin e votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave nga votimi jashtë Kosovës.
“Ashtu siç iu kemi thënë edhe më herët, ky proces planifikohet të filloj gjatë ditëve në vazhdim. Të dielën në mbrëmje ka përfunduar verifikimi I pakove të supozuara nga vendvotimet jashtë Kosovës, respektivisht nga votimi përmes postës. Ne zakonisht iu referohemi si pako të supozuara me fletëvotime, pasi në këtë fazë nuk hapen zarfet të cilat supozohet se përmbajnë fletëvotime. Kjo do të bëhet gjatë procesit të numërimit. Sipas të dhënave preliminare, procesi i vlerësimit apo verifikimit të pakove me fletëvotime jashtë Kosovës, I janë nënshtruar rreth 69 mije pako prej të cilave janë aprovuar rreth 63 mijë ndërkaq janë refuzuar rreth 4 mijë e 900”, ka thënë Elezi.
Ai ka njoftuar edhe për arsyet e refuzimit të këtyre pakove.
“Arsyeja pse janë refuzuar këto dërgesa postarë, është sepse ato janë dërguar nga persona të cilët janë anuluar gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës, iu mungon dëftesa e regjistrimit, janë dërguar më shumë se njëherë apo kanë dërguar më shumë se një fletëvotim dhe arsye të tjera. Procesi i vlerësimit përfshin verifikimin nëse pakot e dërguara iu takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat tjera të parapara”, ka shtuar Elezi. /Lajmi.net/