“Edhe ksi, edhe asi”

Me deklaratën se nuk do të krijohej kurrfarë asociacioni – “as ksi, as asi”, Glauk Konjufca i qetësonte militantët. Por tash Albin Kurti ka pranuar ta themelojë atë, përkundër kundërshtive ndër vite dhe premtimeve se s’do të krijohet kurrë. “Edhe ksi, edhe asi” do të tingëllonte “reçeta” e re për Zajednicën, sipas “kuzhinës propagandistike” të…

Opinion

03/11/2023 21:24

Me deklaratën se nuk do të krijohej kurrfarë asociacioni – “as ksi, as asi”, Glauk Konjufca i qetësonte militantët. Por tash Albin Kurti ka pranuar ta themelojë atë, përkundër kundërshtive ndër vite dhe premtimeve se s’do të krijohet kurrë. “Edhe ksi, edhe asi” do të tingëllonte “reçeta” e re për Zajednicën, sipas “kuzhinës propagandistike” të Vetëvendosjes.

Shkruan: Imer Mushkolaj

Kundërshtime, protesta, gaz lotsjellës. Të gjitha këto veprime të Lëvizjes Vetëvendosje kundër themelimit Asociacionit të komunave me shumicë serbe, përkatësisht Zajednicës, siç pëlqente ta quante partia e Albin Kurtit. Të gjitha gjatë kohës sa Vetëvendosja ishte në opozitë dhe deklarimet i kishte të prera: nuk ka Zajednicë dhe pikë!

Me premtime kundër Zajednicës Kurti erdhi në pushtet. Por, dy vjet e gjysmë më pas, ai ka pranuar ta themelojë këtë mekazniëm, që do t’iu sigurojë serbëve më shumë të drejta.

Gjatë gjithë kohës Kurti tjetër gjë ka thënë, e tjetër ka vepruar. Teksa e përsëriste se nuk do ta themelojë në asnjë mënyrë Zajednicën, ai vazhdonte dialogun me Serbinë në Bruksel dhe pranonte marrëveshje të ofruara nga Bashkimi Europian, të cilat përfshinin Zajednicën.

Ndërkohë, për të qetësuar militantët dhe opinionin e brendshëm, Glauk Konjufca thoshte se nuk do të krijohej kurrfarë asociacioni, as me kompetenca ekzekutive, as pa kompetenca. Më saktë, “as ksi, as asi”.

Përfundimisht europianë e amerikanë sollën një draft për statutin e Asociacionit në Prishtinë, të cilin Kurti duket ta ketë pranuar. Megjthatë, ai insiston që Asociacioni “i tij” është krejt tjetër nga Asociacioni “i Thaçit dhe Mustafës”.

“Kjo qartazi nuk është Zajednicë ashtu siç e parashihnin marrëveshjet e viti 2013 dhe 2015, sepse asisoj do të ishte e padiskutueshme. Drafti në vlerësimin tim politik e bën të qartë që mekanizmi që do themelohet do ketë karakter bashkëpunues, pra nuk do të ndërhyjë në kompetencat e pushtetit publik, të komunave, organeve qendrore, askujt… Drafti e bën të qartë që çfarëdo ndryshimi i statutit bëhet vetëm pasi të jetë pajtuar Ministria për Administrimin e Pushtetit Lokal dhe t’i ketë dhënë aktgjykim lejues Kushtetuesja. Kjo e përmbys atë që e bënin marrëveshjet e viteve 2013 e 2015”, iu tha Kurti të premten deputetëve.

Në fakt, edhe në marrëveshjen e parimeve të vitit 2015 është e përcaktuar që statuti duhet të kalojë vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese. Pra, asgjë e re në këtë aspekt.

Në anën tjetër, është pak e rëndësishme se si do të quhet mekanizmi i ri që do të krijohet, por thelbësisht Asociacioni ose vetëmenaxhimi është autonomi për serbët. Pse do të kishte nevojë për Asociacion, nëse bëhet fjalë veç për bashkëpunim ndërmjet komunave me shumicë serbe? Një gjë e tillë do të ishte lehtë e mundshme në kuadër të organizimit aktual të komunave. Qartazi, që nga fillimi, ideja ka qenë dhe është që serbëve t’iu ofrohet një vetëmenaxhim, një vetëqeverisje, një autonomi. Kosova ka marrë përgjegjësi për një gjë të tillë dhe kjo do të ndodh.

* * *

Albin Kurti thoshte dikur që “Zajednicën nuk mund ta pranojë dikush, i cili nuk është serbofil”. Kjo është veç njëra ndër deklaratat e tilla të forta, në arkivin e pasur të tij të premtimeve të pambajtura. E të tilla ka mjaft – që nga ai se nuk do ta vazhdonte dialogun, nëse Serbia nuk kërkon falje për krimet e kryera në Kosovë.

Kurti tash po thotë që Asociacioni do të krijohet në këmbim të njohjes “de facto” nga Serbia dhe ky, sipas tij, është dallimi ndërmjet situatës tash dhe asaj të kohës së “regjimit të vjetër”. Se si ka arritur në këtë konstatim, më së miri e di ai. Por, në thelb, nuk është se ka ndryshuar asgjë serioze në proces. Asociacioni do të themelohet dhe serbët do të fitojnë më shumë të drejta. Për ata që dinë të lexojnë mirë dhe drejt, e që nuk bëjnë pjesë në atë përqindjen e pretenduar nga Kurti të jenë analfabetë, marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit qartësojnë gjithçka. Nuk mund t’i kthjellin vetëm mendjet e mjegulluara të militantëve, të cilët ende besojnë që Kurti nuk do ta themelojë Asociacionin, të cilët besojnë që ai ka të drejtë për çfarëdo që thotë dhe çfarëdo që bën. “Edhe ksi, edhe asi” do të tingëllonte “reçeta” e re për Zajednicën.