E mbështeti publikisht gjatë fushatës LVV-në, Qeveria Kurti e shpërbleu me çmim prej 10 mijë eurosh Qosjën

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku ka ndarë sot çmimet për letërsi. Njëri nga përfituesit e këtyre çmimeve është edhe akademiku Rexhep Qosja, i cili fitoi çmimin “Letërsia Shqipe” që ka vlerë 10 mijë euro. “Me veprën e tij letrare dhe studimet shkencore, Akademik Qosja ka ndërtuar një bibliotekë të tërë të mendimit…

Lajme

18/03/2025 16:01

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku ka ndarë sot çmimet për letërsi.

Njëri nga përfituesit e këtyre çmimeve është edhe akademiku Rexhep Qosja, i cili fitoi çmimin “Letërsia Shqipe” që ka vlerë 10 mijë euro.

“Me veprën e tij letrare dhe studimet shkencore, Akademik Qosja ka ndërtuar një bibliotekë të tërë të mendimit albanologjik, kritik letrar, publicistik e historiografik. Ai është jo vetëm një studiues e shkrimtar i jashtëzakonshëm, por edhe një zë i fuqishëm intelektual, protagonist aktiv në proceset e mëdha shoqërore të botës shqiptare”, ka shkruar Çeku në Facebook.

Rexhep Qosja, pak ditë para zgjedhjeve në Kosovë ka mbështetur hapur Lëvizjen Vetëvendosje, dhe kandidatin për kryeministër gna kjo parti, Albin Kurtin.

“Vetëvendosja me Kryeministër Albin Kurtin, padyshim, e ka ngritur prestigjin vendor dhe ndërkombëtar të politikës së Kosovës. Unë do të votoj në moshën, ja, tetëdhjetë e nëntë vjeçare, për Kosovën demokratike të çliruar prej korrupsionit e të këqijave të tjera të shumta, që cenojnë, e pengojnë demokracinë dhe virtytet kombëtare. Unë do të votoj për një politikë të dinjitetshme të bazuar në largpamje me përkushtim shoqëror, shpirtëror, kulturor, etik, kombëtar të Kohezionit mes Shqipërisë e Kosovës, mes Diasporës e Atdheut, e cila i kontribuon si duhet e sa duhet cilësorisht e sasiorisht idealit historik atdhetar: Bashkimit të pashmangshëm të Kosovës e Shqipërisë”, pati shkruar Qosja në Facebook. /Lajmi.net/