“E dyshimtë kur disa webfaqe të institucioneve bien përnjëherë”, “Lufta hibridë ndaj Kosovës është shumë aktive” – Ekspertët e sigurisë dyshojnë për ndikimin rus në sulmet e fundit

Ditëve te fundit Republika e Kosovës po përballet me frikë të madhe sa i përket sulmeve kibernetike që dyshohet se jane të kordinuara dhe se vijnë nga grupe hakerësh me origjinë ruse. “Është shumë shqetësuese kur disa webfaqe të institucioneve bien përnjëherë”, tha për Lajmi.net studiuesi i sigurisë kibernetike Halil Berisha. “Sa e kemi parë…

Lajme

10/04/2025 19:15

Ditëve te fundit Republika e Kosovës po përballet me frikë të madhe sa i përket sulmeve kibernetike që dyshohet se jane të kordinuara dhe se vijnë nga grupe hakerësh me origjinë ruse.

“Është shumë shqetësuese kur disa webfaqe të institucioneve bien përnjëherë”, tha për Lajmi.net studiuesi i sigurisë kibernetike Halil Berisha.

“Sa e kemi parë ne sulmin e fundit, institucionet e Kosovës kanë reaguar mirë në rikuperimin dhe rikthimin e webfaqeve te sulmuara. Megjithatë, kemi pa gjithashtu që shumë faqe për një kohë kanë qenë të paçasshme, disa vazhdojnë me probleme, kjo tregon qe ka vend per përmirësim ne parandalimin e sulmeve”, tha Berisha.

Berisha thekson se këto sulme lidhen direkt me qëndrimin politik të Kosovës ndaj luftës në Ukrainë.

“Sulmet tash kanë ardhë nga Rusia, nga grupe hakerësh ruse të cilët prej fillimit të luftës në Ukrainë kanë targetuar ata që Rusia i konsideron vende jomike, dhe ato qe e kane perkrahur Ukrainen. Kështu ndodhi edhe tash, sulmi është bërë për shkak te “përkrahjes ushtarake që Kosova ja bën Ukrainës”. Pra qëllimi këtu është direkt sulmi ndaj vendeve që Rusia i sheh si kundërshtare. Këto grupe zakonisht janë vet të krijuara dhe të shtyra nga shteti, duke bërë që të kenë edhe burime por edhe kapacitete të mëdha. Të njëjtët grupe kanë sulmuar edhe vende tjera europiane, por edhe jashtë kontinentit, te cilat e kanë një të përbashkët, përkrahjen e Ukrainës”, u shpreh ai.

Ai tutje u shpreh se ka luftë hibride ndaj Kosovës si sulmi i fundit apo qoftë përmes propagandës e metodave tjera të luftës jo-konvencionale.

“Ky sulm është pjesë e luftës hibridë. Lufta hibride ndaj Kosovës është shumë aktive dhe vjen nga dy fronte, serb edhe rus, qoftë përmes sulmeve sikur ky, ashtu edhe përmes propagandës e metodave tjera të luftës jo-konvencionale. Besoj që krejt duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë punë, pasi nuk po përballët vetëm Kosova, por është situatë ku lufta hibridë është aktivë edhe në pjesë tjera të botës, ku iniciuesit esaj janë shtetet autoritarë më pikëpamje pro-rusë”, tregoi njohësi i sigurisë kibernetike.

Për që ka luftë hibride dhe se mund të ndikojë thellë si armë kundër një shteti e thotë edhe ish-shefi i AKI-se Burim Ramadani për Lajmi.net.

“Rusia dhe mashat e saj në vazhdimësi kanë përdorur hapësirën kibernetike si armë kundër shteteve tjera. Kjo nuk është hera e parë dhe raste të tilla datojnë që gati një dekadë”, tha fillimisht ai.

Ramadani duke shpjegur për redaksinë tonë, tha se e domosdoshme është forcimi i kapaciteteve vendore në mbrojtje kibernetike dhe siguri kibernetike.

“Ajo që është e rëndësishme ndërlidhet me domosdoshmërinë për forcim të kapaciteteve vendore në mbrojtje kibernetike dhe siguri kibernetike”, u shpreh ai.

Tutje ai tha se Kosova ka bërë përparim në legjislacion por jo edhe në shtimin e kapaciteteve njerëzore dhe atyre teknike me qëllim luftimin e këtyre dukurive.

“Gjatë viteve të fundit, kemi parë përmirësim të legjislacionit, por jo të kapaciteteve njerëzore dhe teknike”, përfundoi njohësi i sigurisë në vendin tonë, Ramadani.

Ndërkaq eksperti i Sigurisë dhe Luftës Hibride, Drizan Shala i tha Lajmi.net se institucionet e Kosovës duhet të kalojnë nga reagimi pas incidentit në një qasje proaktive të mbrojtjes kibernetike.

“Forcim i kapaciteteve të Agjencisë për Siguri Kibernetike, përfshirë krijimin e një Qendre të Përgjigjes ndaj Incidenteve Kibernetike (CERT) të fuqizuar dhe me buxhet të veçantë. Auditim i plotë i infrastrukturës IT të institucioneve publike dhe kritike, si aeroporti, energjia, komunikimi dhe të dhënat e qytetarëve. Ndërtimi i një doktrine kombëtare për sigurinë kibernetike, me protokolle të qarta për parandalim, detektim dhe reagim. Partneritete strategjike me NATO-n dhe BE-në për asistencë teknike dhe shkëmbim informacioni të shpejtë për kërcënimet e përbashkëta”, tha Shala për lajmi.net.

Shala theksoi se sulmet vijnë kryesisht nga akter shtetërorë dhe rrjete të lidhura me me shërbimet ruse dhe serbe si dhe grupet e sponsorizuara nga shteti.

“Sulmet kibernetike vijnë kryesisht nga aktorë shtetërorë dhe para-shtetërorë, me theks të veçantë në. Rrjete të lidhura me shërbimet ruse dhe serbe, që përdorin grupe të strukturuara kibernetike si pjesë e strategjive hibride. Grupet e sponsorizuara nga shteti (APT – Advanced Persistent Threats), që nuk operojnë vetëm për të dëmtuar infrastrukturën, por edhe për të mbledhur informacione, shantazhuar, dhe krijuar perceptim të dobësisë institucionale”, u shpreh ai.

“Kosova është në një fazë të ndjeshme politike dhe ndërkombëtare. Objektiv strategjik për testim të qëndrueshmërisë shtetërore, veçanërisht në prag ose pas tensioneve në veri ose zhvillimeve diplomatike”, tha Shala.

Eksperti i sigurisë i tha lajm.net se Kosova ndodhet në një mjedis të kompleksuar të luftës hibride

“Kosova ndodhet në një mjedis të kompleksuar të luftës hibride, ku përveç sulmeve kibernetike, përdoren. Dezinformimi dhe operacionet psikologjike, përmes mediave dhe rrjeteve sociale. Instrumentalizimi i pelegrinazheve, protestave, rrengjeve publike, për të manipuluar opinionin dhe minuar besimin ndaj institucioneve. Infiltrimi dhe rrjetëzimi brenda sistemit të shoqërisë civile.Lufta hibride në Kosovë është e kombinuar dhe e qëllimshme, e dizajnuar për të minuar shtetin pa përdorur armë konvencionale”, tregoi ai.

Për fund Shala foli edhe për rastin e dy komedianëve rus, që mashtruan Kurtin, ai thotë se veprimi i tyre ishte më shumë se një rreng dhe se synonte komprometimin e figurës së kryeministrit.

Ky rast është shumë më tepër se një rreng. Ai paraqet një operacion të mirëkoordinuar informativ, që synonte komprometimin e figurës së kryeministrit dhe nxjerrjen e informacionit potencialisht të ndjeshëm. Këta “komedianë” janë të lidhur me shërbimet ruse, dhe kanë përdorur metodologji që përputhen me taktikat e operacioneve të ndikimit (influence operations). Rasti tregon nevojën për forcimin e protokolleve të verifikimit në komunikimet ndërkombëtare dhe rritjen e sigurisë informuese rreth kontakteve zyrtare”, u shpreh Shala.

Gazeta Zyrtare e Republikës së Kosovës, ueb-faqja e Qeverisë dhe platforma e shërbimeve online, e-Kosova ishin jashtë funksionit mëngjesin e 7 prillit./Lajmi.net/