Dy shtetasve serbë të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile u caktohet një muaj paraburgim

Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji dy shtetasve serbë, M.J. dhe M.B., të cilët dyshohen për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”. Vendimi është marrë nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore, pas aprovimit të kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila kishte…

Lajme

29/07/2026 17:41

Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji dy shtetasve serbë, M.J. dhe M.B., të cilët dyshohen për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Vendimi është marrë nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore, pas aprovimit të kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila kishte kërkuar caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarve, shkruan lajmi.net.

Sipas aktvendimit, gjykata ka vlerësuar se ekziston rreziku real që të pandehurit, nëse mbrohen në liri, mund të arratisen dhe t’i shmangen procedurës penale. Në arsyetim thuhet se fakti që të dy janë shtetas të Serbisë rrit mundësinë që ata të largohen nga Kosova dhe të bëhen të paarritshëm për organet e drejtësisë.

Po ashtu, gjykata ka konstatuar se ekziston rreziku që të dyshuarit të ndikojnë në prova dhe dëshmitarë, duke penguar zhvillimin normal të procedurës penale.

“Për këto arsye, masa e paraburgimit prej një muaji është vlerësuar si masa e vetme e përshtatshme për të siguruar praninë e të pandehurve dhe mbarëvajtjen e procesit gjyqësor”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore.

M.J. dhe M.B. ngarkohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, sipas nenit 142, në lidhje me nenin 22 të ish-Ligjit Penal të ish-RSFJ-së.

Ndaj këtij aktvendimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë. /Lajmi.net/