Dështon mbledhja e komisionit hetimor për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore
Në mungesë kuorumi dhe mos pjesëmarrjes së deputetëve nga pozita, ka dështuar të mbahet mbledhja e Komisionit hetimor parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023/2024. Të paraparë për intervistim në këtë mbledhje…
Lajme
Në mungesë kuorumi dhe mos pjesëmarrjes së deputetëve nga pozita, ka dështuar të mbahet mbledhja e Komisionit hetimor parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023/2024.
Të paraparë për intervistim në këtë mbledhje kanë qenë dëshmitarët Fadile Dyla, sekretare e përgjithshme e MASHTI-t, Avni Rexha, ushtrues detyre i drejtorit të Departamentit të Arsimit Parauniversitar dhe Genc Hamzaj nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit – ASHI.
Kryetari i Komisionit, Shemsedin Dreshaj, ka thënë se pavarësisht se janë njoftuar deputetët nga pozita sërish nuk janë prezentë.
“Ky komision për herë të pestë ka caktuar mbledhjen. Për mbledhjen e planifikuar me datën e sotme janë te njoftuar gjithashtu përmes e-mailit komplet grupi parlamentar i pozitës për të marrë pjesë. Për sot po ashtu kanë qenë të paraparë të ftohen kandidatët Fadile Dyla, Avni Rexha dhe Genc Hamzaj nga ASHI”, tha Dreshaj.
Ndërsa, deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, ka thënë se këtë raport duhet dërguar në prokurori që të merret me këtë proces të subvencionimit të teksteve shkollore.
“Jemi dëshmitarë që si zakonisht nuk e shihni prezencën e përfaqësuesve të pushtetit mafioz të VV-së, qëllimi është i njëjti, bojkoti…Kjo mos prezencë e pushtetit është një tentativë për të bojkotuar dhe komplikuar punën e komisionit dhe për të mbrojtur një hajni që është milionëshe. Këtë raport duhet të dërgojmë në prokurori të merret me këtë proces të subvencionimit të teksteve”, tha Kastrati.
Në anën tjetër deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Agim Veliu ka thënë se është e çuditshme se si nuk janë ardhur dëshmitarët e ftuar.
“Përveç se ishte e kundërligjshme që ligji e thotë se nxënësit duhet të pajisen me tekste shkollore e Qeveria që ndau mjete për familjet ishte edhe më e kushtueshme, sepse gjatë intervistimit kanë dalë fakte se shumë nxënës nuk kanë arritur të pajisen deri më fund të gjysmë-vjetorit të parë dhe ka raste deri në fund të vitit. Për mua nuk është e habitshme pse ata nuk vinë në mbledhje, sepse edhe ata vetë janë bindur se në këtë proces ka shkelje të shumta e që tashmë janë pjesë e raportit të hartuar nga ekspertët e angazhuar të këtij komisioni. Jam pak i befasuar pse nuk kanë ardhur dëshmitarët e ftuar, pse dëshmitarët e ftuar që disa herë nuk vinë me ftesën që është përsëritur dhe është dashur të jenë prezentë”, tha Veliu.