​Takimi Kurti-Limaj, deputetja e PDK-së thotë se do të ishte i dobishëm sikur të kishte dhënë rezultat

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se Kosova po mbetet peng i kokëfortësisë së liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, për shkak “të paaftësisë së tij për të formuar institucionet e reja”, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Çitaku, duke hyrë në objektin e Kuvendit për seancën…

Lajme

21/07/2025 10:46

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se Kosova po mbetet peng i kokëfortësisë së liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, për shkak “të paaftësisë së tij për të formuar institucionet e reja”, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Çitaku, duke hyrë në objektin e Kuvendit për seancën konstituive për herë të pesëdhjetë, tha se ngërçi aktual në Kuvend është bërë i papranueshëm. Megjithatë, ajo rikonfirmoi pozicionin e partisë së saj se nuk votojnë për kryekuvendar asnjë kandidat që ka pasur postin e ministrit në katër vitet e fundit.

Sa i përket takimeve të Kurtit me liderin e Nismës, Fatmir Limaj, ajo tha se takimet e tilla do të ishin të dobishme, sikur të kishin dhënë rezultat.

“Kosova është peng i kokëfortësisë së Albin Kurtit dhe paaftësisë së tij, dhe mungesës së dëshirës për të arritur marrëveshje dhe për të bërë kompromis. Kjo lloj situate është e papranueshme… PDK-ja e ka bërë të qartë qëndrimin e saj në lidhje me konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Ne nuk votojmë asnjë kandidat që ka ushtruar postin e ministrit… Takimet e liderëve të partive politike, edhe ai që ka ndodhur të shtunën, do të ishte i dobishëm sikur të kishte dhënë rezultat”, theksoi Çitaku.

Kuvendi të hënën do të tentojë për herë të 50-të të konstituojë legjislaturën e nëntë.