Bytyqi: Nuk mund të qëndrojmë të heshtur, institucionet duhet të formohen urgjentisht
Deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi, ka deklaruar nga foltorja e Kuvendit të Kosovës se përfaqësuesit e popullit nuk mund të qëndrojnë të heshtur përballë problemeve dhe sfidave me të cilat po përballet vendi. Bytyqi tha se para spektrit politik janë një sërë çështjesh që, sipas saj, kërkojnë zgjidhje urgjente, duke theksuar nevojën për formimin e…
Lajme
Deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi, ka deklaruar nga foltorja e Kuvendit të Kosovës se përfaqësuesit e popullit nuk mund të qëndrojnë të heshtur përballë problemeve dhe sfidave me të cilat po përballet vendi.
Bytyqi tha se para spektrit politik janë një sërë çështjesh që, sipas saj, kërkojnë zgjidhje urgjente, duke theksuar nevojën për formimin e institucioneve të Kosovës.
“Ne si përfaqësues të popullit nuk mund të qëndrojmë të heshtur kur Kosova ka probleme e sfida të cilat kërkojnë zgjidhje. Para nesh janë shumë tema të cilat duhet të zgjidhen me urgjencë nga spektri politik”, tha Bytyqi.
Ajo theksoi se është e domosdoshme që Kuvendi dhe institucionet e tjera të formohen, në mënyrë që të mund të trajtohen problemet me të cilat po përballen qytetarët.
Sipas saj, një nga çështjet që kërkon trajtim është edhe ligji për shtetësinë, për të cilin Bytyqi tha se duhet të ndryshohet, duke ngritur shqetësime për ndikimin që mund të ketë në proceset politike dhe përfshirjen e votuesve serbë.
“Nafta në vendin tonë është 1.78 euro. Kuvendi dhe institucionet duhet të formohen, sepse ligji i shtetësisë duhet të zhbëhet. Kjo e drejtë dhe ky fakt ka krijuar alarm me faktin e faktorizimit të serbëve dhe votimit të tyre në shtetin tonë”, deklaroi ajo.
Bytyqi foli edhe për rritjen e çmimeve të produkteve bazë, duke thënë se kostoja e shportës familjare ka arritur në nivele që po e vështirësojnë jetën dhe mirëqenien e qytetarëve.
“Kuvendi dhe institucionet duhet të formohen sepse çmimi i produkteve të shportës familjare ka kaluar ekstrem, duke vështirësuar jetën dhe mirëqenien e qytetarëve”, tha deputetja e Aleancës.
Ajo përmendi edhe papunësinë dhe nevojën për krijimin e mundësive për të rinjtë dhe mijëra të diplomuar në Kosovë.
“Kuvendi dhe institucionet duhet të formohen sepse në shtetin tonë janë mijëra të diplomuar të cilët kanë nevojë për punë dinjitoze dhe vazhdim të jetesës në Kosovë”, u shpreh Bytyqi.
Në fund, deputetja e Aleancës kërkoi që spektri politik të marrë përgjegjësi dhe të punojë për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve. /Lajmi.net/