Basha: Nuk do të tolerohen më vonesat në rrugën Prishtinë-Podujevë, ndaj operatorëve do të ndërmerren masa ligjore

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, ka bërë të ditur se Ministria do të ndërmarrë të gjitha masat e parapara me ligj ndaj operatorëve ekonomikë që nuk respektojnë dinamikën e punimeve në rrugën Prishtinë-Podujevë, duke theksuar se vonesat e pajustifikuara nuk do të tolerohen më. Përmes një postimi në Facebook, Basha njoftoi se ka…

Lajme

08/07/2026 13:06

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, ka bërë të ditur se Ministria do të ndërmarrë të gjitha masat e parapara me ligj ndaj operatorëve ekonomikë që nuk respektojnë dinamikën e punimeve në rrugën Prishtinë-Podujevë, duke theksuar se vonesat e pajustifikuara nuk do të tolerohen më.

Përmes një postimi në Facebook, Basha njoftoi se ka inspektuar nga afër ecurinë e punimeve në këtë aks rrugor, të cilin e cilësoi si një nga prioritetet e tij që nga marrja e detyrës.

Ai tha se gjatë kësaj periudhe ka zhvilluar takime të shumta me mbikëqyrësit, menaxherët e kontratave dhe operatorët ekonomikë, me qëllim të zgjidhjes së problemeve në secilin segment të rrugës.

Sipas Bashës, pas konsultimeve me operatorët është arritur marrëveshje që disa pozicione kritike, veçanërisht urat dhe nyjet me rrezik të lartë, të përfundojnë më herët për të rritur sigurinë dhe për të lehtësuar qarkullimin, ndërsa pjesët e tjera të projektit pritet të realizohen deri në fund të këtij viti.

Ai bëri të ditur se në Bardhosh, brenda kësaj jave pritet të përfundojë njëra pjesë e urës, çka do të mundësojë devijimin e qarkullimit nga Podujeva drejt Prishtinës mbi urë, ndërsa drejtimi tjetër do të vazhdojë përkohësisht përmes bypass-it deri në përfundimin e trotuarit anësor.

Basha veçoi segmentin në Vranidoll si pjesën me ngecjet më të mëdha, duke akuzuar operatorin ekonomik për papërgjegjësi të vazhdueshme në realizimin e punimeve.

“Ka përfunduar periudha e tolerancës. Tash e tutje Ministria do të ndërmarrë të gjitha masat e parapara me ligj për mosrespektimin e dinamikës së kontratës. Nuk do të tolerojmë më vonesa të pajustifikuara apo mashtrime”, ka shkruar ai.

Ministri në detyrë njoftoi se segmenti nga Ura e Vranidollit deri në Teneshdoll është kryesisht i përfunduar, ndërsa një pjesë e vogël e punimeve është shtyrë për shkak të gjetjeve arkeologjike, për të cilat, sipas tij, Ministria është në koordinim me Ministrinë e Kulturës.

Sa i përket urës së Lluzhanit, Basha tha se operatori është zotuar që deri në fund të javës së ardhshme ta lirojë një krah të urës për qarkullim, ndërsa punimet në pjesën tjetër do të vazhdojnë pas pushimeve verore.

Ai shtoi se edhe në segmentin e fundit, te ura mbi lumin Llap, asfaltimi mbi urë tashmë ka përfunduar dhe kanë mbetur vetëm disa punime përmbyllëse.

Në fund, Basha theksoi se është takuar edhe me banorët përgjatë këtij aksi rrugor për të adresuar shqetësimet e tyre, duke paralajmëruar hartimin e një projekti të veçantë për përmirësimin e mangësive të mbetura.

Ai u shpreh se do të vazhdojë të jetë në terren për të mbikëqyrur punimet dhe për të kërkuar përgjegjësi për çdo vonesë të pajustifikueshme deri në përfundimin e plotë të rrugës Prishtinë–Podujevë. /Lajmi.net/