AUV reagon pas njoftimit të “Vita”-s: Nuk ka rezultate të analizave të qumështit, procesi ende në zhvillim
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka reaguar duke demantuar raportimet e publikuara në disa media lidhur me pretendimet se janë nxjerrë rezultatet e analizave laboratorike të mostrave të qumështit të marra më 2 korrik 2026. Sipas AUV, institucioni nuk ka dërguar asnjë email me rezultate, duke theksuar se analiza të tilla ende nuk ekzistojnë…
Lajme
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka reaguar duke demantuar raportimet e publikuara në disa media lidhur me pretendimet se janë nxjerrë rezultatet e analizave laboratorike të mostrave të qumështit të marra më 2 korrik 2026.
Sipas AUV, institucioni nuk ka dërguar asnjë email me rezultate, duke theksuar se analiza të tilla ende nuk ekzistojnë pasi procesi laboratorik nuk ka përfunduar.
AUV njofton se informacionet e publikuara nuk paraqesin qëndrimin zyrtar të institucionit dhe nuk kanë burim nga Agjencia.
Në reagim theksohet se mostrat e marra nga Inspektorati janë ende në proces përpunimi dhe nuk janë finalizuar rezultatet laboratorike.
Po ashtu, AUV rikujton se, siç është bërë e ditur edhe në takimin e sotëm me përfaqësuesit e qumështores “Vita” dhe Shoqatën e Përpunuesve të Qumështit, rezultatet zyrtare do të publikohen vetëm pas përfundimit të plotë të analizave dhe verifikimit të tyre nga autoritetet kompetente.
AUV u bën thirrje mediave dhe opinionit publik që të bazohen vetëm në komunikimet zyrtare të institucionit, duke shmangur publikimin e informacioneve të paverifikuara që mund të dezinformojnë publikun dhe të dëmtojnë procesin e kontrollit zyrtar. /Lajmi.net/