Anita Muçaj kërkon sqarim për mbiemrin Haradinaj në kërcënimet ndaj Arlinda Zekajt

Anita Muçaj, bashkëshortja e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke kërkuar sqarime për përmendjen e mbiemrit Haradinaj në kontekstin e kërcënimeve të pretenduara nga i dyshuari për vrasjen. Përmes një postimi në Facebook, Muçaj ka shprehur dhimbjen për vrasjen e Arlinda Zekajt, duke theksuar se ajo…

Lajme

26/10/2026 17:59

Anita Muçaj, bashkëshortja e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke kërkuar sqarime për përmendjen e mbiemrit Haradinaj në kontekstin e kërcënimeve të pretenduara nga i dyshuari për vrasjen.

Përmes një postimi në Facebook, Muçaj ka shprehur dhimbjen për vrasjen e Arlinda Zekajt, duke theksuar se ajo ishte një grua dhe nënë që kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet shtetërore.

“Si anëtare e familjes Haradinaj, bashkëndjej dhimbjen e madhe nga vrasja makabre dhe shokuese e një nëne dhe një gruaje që kërkonte mbrojtje shtetërore, të ndjerës Arlinda Zekaj”, ka shkruar Muçaj.

Ajo i është drejtuar avokates Adelina Hoxha, duke kërkuar që të sqarojë se për cilin person me mbiemrin Haradinaj bëhet fjalë.

“Kërkoj nga avokatja Adelina Hoxha që konkretisht të deklarojë publikisht dhe pranë organeve hetimore se kush është me emër ai Haradinaj, në emër të të cilit apo të cilëve ka kërcënuar vrasësi i Arlinda Zekajt, e jo ta turbullojë ujin me një fjalë të tillë të ndjeshme, pasi mbiemrin Haradinaj e kam edhe unë, edhe fëmijët e mi, edhe qindra anëtarë të familjes Haradinaj”, ka theksuar ajo.

Muçaj ka shtuar se mbiemri Haradinaj përfaqëson sakrificën dhe dashurinë për atdheun, si dhe respektin ndaj shtetit dhe ligjit.

“Ky është një mbiemër që përfaqëson sakrificën dhe dashurinë për atdhe, respektin ndaj shtetit dhe ligjit, e jo strehë horrash e kriminelësh”, ka shkruar Muçaj. /Lajmi.net/