A po i shkon presidentja në linjë Kurtit për datën e zgjedhjeve? – Osmani: Një president i përgjegjshëm, zgjedh datën ku parashihet pjesëmarrje më e madhe

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot para mediave ka njoftuar se data për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, është data 28 dhjetor, datë e cila ka qenë e preferuar nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti. Ajo nga gazetarët është pytur nëse po i qëndron në linjë Kurtit pasi zgjodhi këtë datë. për çka ka…

Lajme

20/11/2025 13:58

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot para mediave ka njoftuar se data për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, është data 28 dhjetor, datë e cila ka qenë e preferuar nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.

Ajo nga gazetarët është pytur nëse po i qëndron në linjë Kurtit pasi zgjodhi këtë datë. për çka ka thënë se këto janë vetëm akuza.

“Më lejoni t’iu kthej pak në perspektivë. Në vitin 2021, kur partia në pushtet që kishte më shumë se 50% të votave dhe disa të tjera të vogla në koalicion me të, kërkonin që unë të shtyja datën e zgjedhjeve lokale dhe kishim një opozitë shumë më të vogël se kjo e sotme, unë vendosa në favor të kërkesës së opozitës, që mos të shtyhej data për zgjedhjet lokale. Edhe pse e zgjodha datën e favorshme për opozitën, prap u akuzova se po konsultohem, koordinohem dhe po ia bëj qefin Kurtit. Ka dhjetëra raste për gjatë këtyre 5 viteve që jam presidente, që kam dal me qëndrime plotësisht të kundërta me ato të qeverisë së Kosovës, përsëri nuk iu ka rënë taman, përsëri janë ankuar e përsëri janë akuzuar. Kështu që, siç po e shihni përkundër këtyre akuzave 5 vjeçare dhe atyre që do të vijnë sot e nesër e pasnesër, unë qëndroj dhe do të qëndroj edhe shumë gjatë duke mbrojtur interesin e Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se ata që akuzojnë pa lexuar dhe pa analizuar e menduar gjatë, duhet të mendojnë se pas këtyre zgjedhjeve do të shkojnë tek ajo për të kërkuar mandatarin.

“Është mirë që gjuha që përdoret në politikë, të jetë brenda suazave të normales. Unë i kuptoj kritikat, i kuptoj qëndrimet e ndryshme të partive politike, por detyra ime si presidente, është të sigurohem që kemi një datë kur zgjedhjet mund të organizohen. Po ashtu mos harroni se cili do president i përgjegjshëm, do ta kishte zgjedhur një datë kur parashihet pjesëmarrje më e madhe se pjesëmarrje më të vogël.  Këtë e kërkon demokracia, kërkon të kemi pjesëmarrje më të madhe, nuk kërkon që të zgjedhen data kur kemi probleme në organizimin e tyre, nuk kërkon të zgjedhen data që bëjnë të pamundur realizimin praktik dhe të rregullt të zgjedhjeve. Një president i përgjegjshëm zgjedh datën më të mirë, pavarësisht dëshirave që mund të shprehen në publik, kështu që akuzat vazhdojnë ne e vazhdojmë punën tonë në interes të Kosovës”, ka thënë Osmani.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare do të mbahen më datë 28 dhjetor 2025. /Lajmi.net/