1,914 euro pagë marrin deputetët nga ky muaj-por a mund të shkojnë deputetët në pushim derisa Kuvendi mbetet i pakonstituar?

Ndonëse me Rregulloren e Punës parashihet që deputetët e Kuvendit të Kosovës të shkojnë në pushim më 1 gusht, kjo më nuk dihet nëse do të jetë e mundur për shkak të mos konstituimit të Kuvendit tash e dy muaj. Partia më e madhe në vend e cila edhe triumfoi në zgjedhjet e 9 shkurtit…

Lajme

27/06/2025 14:47

Ndonëse me Rregulloren e Punës parashihet që deputetët e Kuvendit të Kosovës të shkojnë në pushim më 1 gusht, kjo më nuk dihet nëse do të jetë e mundur për shkak të mos konstituimit të Kuvendit tash e dy muaj.

Partia më e madhe në vend e cila edhe triumfoi në zgjedhjet e 9 shkurtit Lëvizja Vetëvendosje, (LVV), ka hasur në vështirësi për të kaluar përpara pasi kanë propozuar për kryeparlamentare, deputeten Albulena Haxhiu, por e cila po kundërshtohet fuqishëm nga opozita.

Propozimi i kryesuesit të Kuvendit, Avni Dehari tash e një muaj për të votuar në mënyrë të fshehtë, nuk ka dhënë ndonjë efekt kjo pasi partitë opozitare po refuzojnë të propozojnë emra për të formuar komisionin për votim të fshehtë.

Por se a do të mund të shkojnë deputetët në pushim edhe pa u konstituar Kuvendi?

Kjo ende nuk dihet, pasi nuk është vendosur ndonjë datë finale.

Të pyetur nga lajmi.net, nga Kuvendi i Kosovës, kanë thënë se Kuvendi zhvillon punën në dy sesione:

Sesioni Pranveror i cili fillon të hënën e tretë të muajit janar dhe përfundon në fund të muajit korrik.

dhe Sesioni Vjeshtor i cili fillon të hënën e dytë të muajit shtator dhe përfundon në fund të muajit dhjetor.

Pra me këtë rast Kuvendi, ndërmjet dy sesioneve, mund të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme.

“Sipas nenit 66 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, e cila ka filluar me 15 prill 2025, por nuk ka përfunduar. Referuar nenit 12, paragrafi 5 të Rregullores se Kuvendit të Republikës së Kosovës: “Seanca konstituive përfundon me zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit”, thuhet në përgjigjen e Kuvendit.

Ani pse nga Kuvendi, nuk thanë se ndoshta deputetët do të mbesin pa pushim apo do të shtyhet data e caktuar, por nga IKD, kanë qëndrime pak më ndryshe sa i përket kësaj çështje. I pyetur nga lajmi.net, rreth pushimit vjetor të deputetëve, Naim Jakaj nga IKD, ka thënë se Kuvendi i Kosovës nuk mund të shkojë në pushim vjetor përderisa nuk është konstituar.

“Sipas Rregullores dhe praktikës së deritashme, pushimi vjetor i Kuvendit nis më 31 korrik dhe zgjat deri të hënën e dytë të muajit shtator. Megjithatë, për shkak se Kuvendi ende nuk është konstituar, një gjë e tillë nuk është e mundur”, ka thënë Jakaj.

Jakaj po ashtu ka shtuar se edhe në rast se Kuvendi do të mund të konstituohej në ditët në vijim, nuk do të ishte e arsyeshme që deputetët të shkonin menjëherë në pushim, pasi nuk kanë ushtruar asnjë funksion që nga 15 prilli 2025.

“Përkundrazi, Kuvendi do të duhej të fillonte menjëherë punën, duke themeluar komisionet e përhershme dhe funksionale, miratuar planin e punës dhe veçanërisht ratifikuar marrëveshjet ndërkombëtare për të mundësuar marrjen e mbi 900 milionë eurove fonde”, theksoi Jakaj.

Ndryshe hulumtuesi i lartë i IKD-së, thotë se pavarësisht se Kuvendi nuk është funksional apo jo deputetët paguhen derisa nuk ka një vendim të veçantë për reduktim të pagës.

“Sipas Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, paga mujore bruto e një deputeti është 1,859 euro deri më 30 qershor 2025, dhe 1,914 euro pas kësaj date. Deputetët nuk marrin më mëditje të veçanta për pjesëmarrje në seanca plenare, përfshirë edhe ato që thirren për konstituimin e Kuvendit. Mëditja është integruar në pagën fikse mujore, si rezultat i ndryshimeve të bëra gjatë legjislaturës së tetë. Ligji nuk parashikon mosshpërblim të automatik për mungesë të punës, pa ndonjë hap konkret nga Kryesia e Kuvendit”, ka thënë Jakaj.

Tutje sipas tij lidhur me situatën e krijuar në Kuvend, ekziston zgjidhja ligjore, por se nuk po zbatohet, kjo pasi siç thotë ai sipas Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, nëse një deputet mungon në mënyrë të paarsyeshme në seancë plenare apo në organet ndihmëse të Kuvendit ku është anëtar, paga bazë dhe kompensimi shtesë mund të reduktohen.

“Përjashtim bëjnë rastet kur mungesa është për shkak të detyrave zyrtare parlamentare. Megjithatë, ky reduktim nuk mund të bëhet automatikisht. Nevojitet miratimi i një akti të veçantë nga Kryesia e Kuvendit, e cila do të përcaktonte kriteret dhe mënyrën e reduktimit të kompensimit për mungesë të paarsyeshme. Deri më tani, Kryesia ka miratuar një rregullore që rregullon shpërblimet për angazhimet e deputetëve në komisione dhe aktivitete të tjera, por nuk ka miratuar rregullore për zbritjen e kompensimit në rast të mospjesëmarrjes”, thotë Jakaj.

Siç ka theksuar Jakaj, moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës, ka nxjerrë në pah mungesën e qartësisë kushtetuese lidhur me afatet dhe pasojat e një situate të tillë, ndonëse siç tregon ai rregullorja e re e Kuvendit parasheh që pas dështimit të seancës konstituive të mos ketë pauza më të gjata se 48 orë, nuk ekziston një mekanizëm detyrues për tejkalimin e bllokadës nëse nuk ka vullnet politik për votimin e Kryetarit të Kuvendit.

“Kuvendi do të duhej të konstituohej brenda afatit ligjor, që është 30 ditë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore. Çdo zvarritje përtej kësaj periudhe është duke rrezikuar dhe cenuar rendin kushtetues dhe logjikën e funksionimit të institucioneve. Pavarësisht këtyre dispozitave, zgjidhja e ngërçit varet më shumë nga marrëveshjet politike sesa nga rregullimet kushtetuese dhe ligjore”, ka përfunduar Jakaj.

Ndërkaq gjykata Kushtetuese pritet që të dalë së shpejti me vendimin mbi kërkesën e AAK-së, lidhur me vendimin për votimin e fshehtë në çështjen e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

E zhvillime pati mbrëmë kur Gjykata Kushtetuese vecse bëri public aktgjykimin, e ku theksohej se deputëtët duhet që brenda një muaji të bëjnë konstituimin e Kuvendit.

E pas kësaj, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti i ftoi në takim liderët e partive politike në Kosovë.

Takimi është paraparë të nis në ora 16:00, e tanimë përgjigje pozitive i kanë dhënë nga të gjitha partitë.

Nga PDK i pranishëm në takim pritet të jetë kryetari Memli Krasniqi, kurse nga LDK-ja kreu Lumir Abdixhiku. Në takim AAK-ja pritet të përfaqësohet nga deputetja Time Kadriaj, e aty s’do të mungojë as Fatmir Limaj i Nismas.

Kësisoj seanca e sotme konstituive u ndërpre, pas një diskutimi që patën brenda Kuvendit- e ku u la që seanca e radhës të mbahet të dielën – pas takimit të nesërm të thirrur nga Kurti.

Mbetet të shihet nëse diçka do të ndryshojë në këtë kuadro, apo thjesht situate do vazhdojë të jetë e bllokuar.

E propozuara e VV-së, Albulena Haxhiu deklaroi sot se nëse nuk merr 61 vota edhe me votim të fshehtë, ajo do të tërhiqet./Lajmi.net/