1,819 premtime për një Kosovë më të mirë: Kryetarët që premtuan më së shumti për mandatin 4-vjeçar

Rama i LDK-së, Hamza i PDK-së dhe Hyseni i LVV-së dhanë më së shumti premtime për mandatin qeverisës 2021-2025.

Lajme

15/02/2022 11:53

Pas publikimit të të dhënave me premtime nga kryetarët e komunave për mandatin qeverisës 2021-2025, sipas Institutit GAP, janë gjithsejtë një mijë e 819 premtime.

Në vend të parë sipas Bekim Salihut, analist politikash në Institutin GAP, renditet Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

Salihu para mediave ka thënë se, i pari i Prishtinës, ka dhënë në total 206 premtime.

Vendin e dytë me numrin më të madh të premtimeve e zë, Kryetari i komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, me gjithsejtë 123 premtime, duke e lënë pas në vend të tretë Kryetarin e komunës së Gjilanit, Alban Hysenin me 109 premtime.

Kurse, me numër më të vogël të premtimeve prej të gjithë kryetarëve aktualë të komunave është kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, me 19 premtime.

Salihu theksoi se përmes vlerësimit të premtimeve zgjedhore, Instituti GAP ka për qëllim që t’i mbajë përgjegjës kryetarët e zgjedhur për premtimet e dhëna.