18 vite burgim për Endrit Nikën, Gjykata tregon si kishte ndodhur vrasja e së dashurës së tij argjentinase

Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka shpalluar fajtor Endrit Nikën për veprën penale “vrasje e rëndë”, duke e dënuar atë me 18 vite burgim. Atij do t’i llogaritet edh koha e kaluar në paraburgim, që nga data 1 gusht 2023 e tutje, ndërsa me aktvendim të veçantë i vazhdohet masa e paraburgimit, deri në plotfuqishmëri…

Lajme

19/02/2026 11:07

Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka shpalluar fajtor Endrit Nikën për veprën penale “vrasje e rëndë”, duke e dënuar atë me 18 vite burgim.

Atij do t’i llogaritet edh koha e kaluar në paraburgim, që nga data 1 gusht 2023 e tutje, ndërsa me aktvendim të veçantë i vazhdohet masa e paraburgimit, deri në plotfuqishmëri të këtij aktgjykimi, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar në këtë aktgjykim.

Gjykata ka treguar se si ka ndodhur rasti.

“Me datë 01.08.2023 rreth orës 01:59 minuta, në rrugën “ Nënë Terezë” në Fushë Kosovë, në “Hotel Sonoma”, në katin e VI, i akuzuari E.N. pas një mosmarrëveshje paraprake me të dashurën e tij – të dëmtuarën e tani të ndjerën M.K.U. shtetase argjentinase, kishte vazhduar përleshjen dhe nga goditjet ndaj të dëmtuarës e kishte nxjerrë kornizën e dritares duke e hedhur të ndjerën nga dritarja  e dhomës së hotelit nga kati i VI (gjashtë), me ç’rast e dëmtuara – tani e ndjera M.K.U., kishte pësuar lëndime të rënda trupore, edhe përkundër trajtimit mjekësor e njëjta kishte ndërruar jetë në QKUK”, ka njoftuar Gjykata.

Sipas Gjykatës, i akuzuari detyrohet që në emër të shpenzimeve të procedurës penale – paushallit gjyqësor, të e paguajë shumën 1000,00 (njëmijë) euro dhe në emër të taksës për Fondin e Kompensimin e Viktimave të Krimit, shumën prej 50,00 (pesëdhjetë) euro, e gjitha këto në afatin prej 15 ditëve, nga dita kur aktgjykimi të merr formën e prerë.

“E dëmtuara M.M.D., për realizimin për realizimin e kërkesës pasurore – juridike, udhëzohet në kontest të rregullt juridiko-civil. Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, ka njoftuar Gjykata. /Lajmi.net/

Njoftimi i plotë: