17 vjeçari u rrah nga pronarët e linjës së autobusëve në Ferizaj, nga kompania thonë se pati “fjalosje” pasi i mituri është problematik
Një 17 vjeçar në Ferizaj ka raportuar në Polici se është sulmuar fizikisht nga dy persona të dyshuar të cilët rezultuan të jenë pronarët e një kompanie të autobusëve. Rastin për lajmi.net, e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Ferizaj, Kanun Veseli. Veseli ka deklaruar se kjo ka ardhur pasi faturisti i ka…
Lajme
Një 17 vjeçar në Ferizaj ka raportuar në Polici se është sulmuar fizikisht nga dy persona të dyshuar të cilët rezultuan të jenë pronarët e një kompanie të autobusëve.
Rastin për lajmi.net, e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Ferizaj, Kanun Veseli. Veseli ka deklaruar se kjo ka ardhur pasi faturisti i ka kërkuar të shkoj pas tij që t’ia jap mujoren për të cilën ankuesi kishte paguar.
Pas kësaj thuhet se të miturin e ka dërguar në depo të stacionit të autobusëve ku të dyshuarit M/SH/K e kanë sulmuar fizikisht atë, shkruan lajmi.net.
“Ankuesi i mitur M/SH/K, së bashku me prindin e tij, ka deklaruar se deri sa ishte duke udhëtuar me autobusin “Albana” linja Morosalë-Ferizaj, me të arritur në stacionin e autobusit në Ferizaj, konduktori ( faturisti) i ka kërkuar që të shkoj pas tij në mënyrë që ai t’ia jap mujoren për të cilën ankuesi kishte paguar, kështu që ankuesi kishte shkuar pas tij në depon e stacionit te autobusëve, ku dy persona të dyshuar të një kompanie të autobusëve, te dy M/SH/K, e kishin sulmuar fizikisht viktimën. Me urdhër të prokurorit njëri i dyshuari M/SH/K, ndalohet mbajtje për 48h, për procedura tjera hetimore”, ka thënë Veseli.
Mirëpo lidhur me këtë lajmi.net, ka kontaktuar edhe me kompaninë në fjalë “Albana”, të cilët e kanë mohuar një gjë të tillë.
Sipas tyre nuk ka pasur rrahje, por vetëm fjalosje me të miturin pasi siç pretendojnë ata “i mituri është djalë problem”.
“Jo jo nuk ka pasur rrahje ka pasur thjeshtë fjalosje mes punëtorit dhe djalit para dy dite, kurgja ma tepër se ky djalë udhëton me ne po është problem”, kanë thënë ata.
Ndryshe ata edhe kanë mohuar se punëtori i tyre gjendet në mbajtje për 48-orë, gjë për të cilën thanë se nuk kanë njohuri.
“Nuk e di që është arrestuar ndonjë punëtorë i joni”, u tha gjithashtu nga kompania edhe pse nga policia u konfirmua se një person u ndalua për 48 orë./Lajmi.net/