15 vjet nga vrasja e Diana Kastratit, mbajtja e seancës gjyqësore caktohet për të martën
Më 10 nëntor, në ora 09:30, është caktuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj A.J., të dyshuarit për vrasjen e Diana Kastratit. Prokuroria Themelore në Prishtinë më 22 tetor 2026 kishte ngritur aktakuzë në mungesë ndaj A.J., 15 vjet pas vrasjes së Kastratit, e cila u qëllua për vdekje me armë zjarri në Prishtinë, raporton lajmi.net.…
Lajme
Më 10 nëntor, në ora 09:30, është caktuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj A.J., të dyshuarit për vrasjen e Diana Kastratit.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 22 tetor 2026 kishte ngritur aktakuzë në mungesë ndaj A.J., 15 vjet pas vrasjes së Kastratit, e cila u qëllua për vdekje me armë zjarri në Prishtinë, raporton lajmi.net.
“Konform nenit 303 paragraf 8 të Kodit të Procedurës Penale, gjykata i bën thirrje të akuzuarit Adnon Jashari të dorëzohet dhe të paraqitet sa më parë pranë kësaj gjykate, që kjo çështje penale të zhvillohet me prezencën e tij”,thuhet ndër të tjerash në ftesën drejtuar Jasharit.
Përveç veprës penale të vrasjes, i akuzuari ngarkohet edhe për veprën penale të “Mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Seanca e 10 nëntorit pritet të shënojë një zhvillim të ri në procesin gjyqësor për këtë rast që kishte mbetur pa epilog për 15 vjet. Sipas raportimeve të mëhershme, i akuzuari ndodhej në Spanjë dhe autoritetet kosovare kishin hasur në pengesa për ekstradimin e tij.
Rasti i Diana Kastratit është kthyer në një shembull të dështimit institucional në mbrojtjen e grave nga dhuna në Kosovë.
Diana u vra vetëm 22 ditë pasi kishte kërkuar mbrojtje emergjente nga gjykata, e cila nuk kishte vepruar ndaj kërkesës së saj – një mosveprim që Gjykata Kushtetuese më vonë e konstatoi si shkelje të së drejtës për jetë.
Diana Kastrati ishte 27 vjeçe kur u vra më 18 maj 2011, në Prishtinë.
Sipas dokumenteve gjyqësore, ajo ishte qëlluar me armë zjarri në qafë, ndërsa i dyshuar për vrasjen ishte ish-partneri i saj, A.J., me të cilin kishte bashkëjetuar për më shumë se dhjetë vjet dhe kishte një vajzë.
Më 17 janar 2011, Diana kishte paraqitur padi për shkëputjen e bashkësisë jashtëmartesore me A.J., për shkak të përkeqësimit të marrëdhënieve mes tyre, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2013.
Pas paraqitjes së padisë, ajo ishte zhvendosur bashkë me vajzën te prindërit e saj.
Më 26 prill të atij viti, për shkak të kërcënimeve të pretenduara ndaj saj dhe vajzës, Diana iu drejtua Gjykatës Komunale në Prishtinë, duke kërkuar urdhër për mbrojtje emergjente.
Sipas ligjit në fuqi, gjykata duhej të vendoste për kërkesën brenda 24 orëve.
Por, kërkesa mbeti pa përgjigje.
Vetëm 22 ditë më vonë, Diana u vra.
Mosveprimi i gjykatës u bë më pas objekt i një beteje të gjatë ligjore, të nisur nga prindërit e saj, Gëzim dhe Makfire Kastrati./Lajmi.net/