15-vjeçari nga Dragashi gjen kuletë me para dhe dokumente, e dorëzon menjëherë në Polici
Një gjest i rrallë ndershmërie dhe përgjegjësie qytetare është shënuar në komunën e Dragashit, ku një fëmijë 15-vjeçar ka gjetur një kuletë me para dhe dokumente dhe e ka dorëzuar menjëherë në Polici. Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur më 18 qershor 2026, rreth orës 19:00. Teksa po lëvizte me biçikletë në…
Lajme
Një gjest i rrallë ndershmërie dhe përgjegjësie qytetare është shënuar në komunën e Dragashit, ku një fëmijë 15-vjeçar ka gjetur një kuletë me para dhe dokumente dhe e ka dorëzuar menjëherë në Polici.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur më 18 qershor 2026, rreth orës 19:00. Teksa po lëvizte me biçikletë në rrugën Dragash–Brod, afër fshatit Kukajan, 15-vjeçari hasi në një kuletë të humbur, brenda së cilës ndodheshin dokumente personale dhe 153 euro.
Pa hezitim, ai e dorëzoi kuletën në Stacionin Policor në Dragash. Falë dokumenteve të gjetura brenda saj, policia arriti të identifikojë pronarin dhe ta kontaktojë atë.
Të nesërmen, më 19 qershor 2026, rreth orës 10:00, qytetari që kishte humbur kuletën u paraqit në stacionin policor dhe mori sendet e tij. Ai shprehu mirënjohje për veprimin e ndershëm të të miturit, si dhe për angazhimin e Policisë së Kosovës në kthimin e pasurisë së humbur.
Policia e Kosovës e ka vlerësuar lart këtë veprim, duke theksuar se ai përfaqëson një shembull të shkëlqyer të ndershmërisë, përgjegjësisë dhe bashkëpunimit qytetar me institucionet e rendit. /Lajmi.net/