15 të burgosur shqiptarë hyjnë në grevë urie

Plot 15 të dënuar në burgun e Drenovës kanë hyrë në grevë urie, pasi pretendojnë se mbahen në mënyrë të padrejtë në burg. Sipas tyre, neni me të cilin janë dënuar, është shfuqizuar si antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese pak muaj më parë.

Lajme

14/06/2016 17:42

Nisjen e grevës së urisë e konfirmojnë familjarët e të dënuarve. Por drejtues të burgut mohojnë grevën dhe thonë se po negociohet me të burgosurit, raporton Tv Klan.

Me kërkesë të gjykatës së Apelit të Vlorës, Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi paragrafin numër 5 dhe 6 të nenit 278 të kodit penal që parashikonin dënim 7- 15 vjet burg për personat, që kapeshin me armëmbajtje pa leje.

Të burgosurit i janë drejtuar edhe gjykatave të shkallës së parë, të cilat i kanë dënuar për këtë vepër, por gjykatat respektive janë në pritje të qëndrimit nga ana e Gjykatës së Lartë.

Kjo e fundit pritet të shprehet për mënyrën se si do të trajtohen personat që janë dënuar para shfuqizimit të këtij ligji.