14 OJQ, kundër vendimit të sotëm të Qeverisë: U shkel Kushtetuta e aktgjykimet
Katërmbëdhjetë OJQ, përmes një reagimi të përbashkët, kanë thënë se veprimi i sotëm i Qeverisë në detyrë gjatë procedimit dhe miratimit të projektligjit të buxhetit bie në kundërshtim me kërkesat ligjore të përcaktuara në Ligjin e Qeverisë dhe vetë Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kjo për faktin se, sipas këtij reagimi, sot votuan personat që…
 
                        Lajme
Katërmbëdhjetë OJQ, përmes një reagimi të përbashkët, kanë thënë se veprimi i sotëm i Qeverisë në detyrë gjatë procedimit dhe miratimit të projektligjit të buxhetit bie në kundërshtim me kërkesat ligjore të përcaktuara në Ligjin e Qeverisë dhe vetë Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Kjo për faktin se, sipas këtij reagimi, sot votuan personat që janë të certifikuar si deputetë në Kuvendin e Kosovës.
Në reagimin e këtyre organizatave, thuhet se Projektligji për Buxhetin e vitit 2026 mund të propozohej nga Qeveria në detyrë, në përputhje me Ligjin për Qeverinë.
Megjithatë, këto OJQ thonë se siç kanë theksuar edhe në Letrën e dërguar presidentes Osmani, “ky proces do duhej të zhvillohej në pajtueshmëri të plotë me Kushtetutën, ligjin dhe aktgjykimin e Gjykatës Supreme”.
“Të njëjtat përcaktojnë qartë se një person nuk mund të ushtrojë njëkohësisht dy funksione, si anëtar i Qeverisë dhe si deputet. Prandaj, që ky proces të jetë i ligjshëm, ka qenë e domosdoshme që nënshkruesit e këtij projektligji të jenë në përputhje të plotë me legjislacionin e lartcekur, dhe propozuesit të jenë zv.kryeministri dhe ministra e zv.ministra përkatës që nuk kanë fituar njëkohësisht pozitën e deputetit në këtë legjislaturë”.
“Çdo veprim që e anashkalon këtë parim cenon vlefshmërinë e vetë ligjit për buxhetin, situatë që ndodhi sot”, u tha në reagimin e tyre.
OJQ-të thotë se çdo tentativë si kjo e sotmja për të anashkaluar ligjin e Qeverisë, aktgjykimin e Gjykatës Supreme dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës “dëmton jo vetëm procesin e miratimit të buxhetit por edhe vet parimin e sundimit të ligjit në Kosovë”.
Tutje, në reagim, OJQ-të kanë kritika edhe në përmbajtjen e projektligjit dhe në pakot e propozuara. Thonë se vërehet “se janë përgatitur pa një qasje gjithëpërfshirëse institucionale, duke e thelluar edhe më tutje krizën politike në vend dhe përfundimisht mos miratimin e tij përmes konsensusit të përbashkët mes gjitha partive politike”.
“Një qasje e tillë cenon rëndë parimet e demokracisë së këtij vendi sepse po bëhet në periudhën e zgjedhjeve komunale dhe paralajmërimit edhe të zgjedhjeve të përgjithshme”, thuhet në reagimin e 14 OJQ-ve vendore.
Instituti GAP
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)
Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF)
Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP)
Instituti i Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK)
Community Development Fund (CDF)
SHL-Kosova
YMCA Kosova
TOKA
Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI)
Balkan Green Foundation (BGF)
Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ)
Community Building Mitrovica (CBM)
Advocacy Training and Resource Center (ATRC.
 
                                                       
                                                       
                                                      