Dhjetëra zyrtarë shtetërore në dyert e Prokurorisë Speciale, të intervistuar në lidhje me afera korruptive-Disa prej tyre ende nën hetim
Skandalet me rezerva shtetërore, keqpërdorimet në Korporatën Energjetike të Kosovës, aferat financiare jashtë shtetit, grantet e tenderët e dhënë tek familjarët janë disa prej arsyeve për të cilat zyrtarë të Qeverisë Kurti janë paraqitur në Prokurorinë Speciale gjatë këtij viti. Kreu i qeverisë, Albin Kurti, nuk është i vetmi i cili gjatë këtij viti mori…
Lajme
Skandalet me rezerva shtetërore, keqpërdorimet në Korporatën Energjetike të Kosovës, aferat financiare jashtë shtetit, grantet e tenderët e dhënë tek familjarët janë disa prej arsyeve për të cilat zyrtarë të Qeverisë Kurti janë paraqitur në Prokurorinë Speciale gjatë këtij viti.
Kreu i qeverisë, Albin Kurti, nuk është i vetmi i cili gjatë këtij viti mori ftesë për intervistim nga prokurorët e shtetit.
Për të njëjtën çështje që u ftua Kurti, dyshimet për keqpërdorimet me rezerva shtetërore, 8 muaj më herët ishte marrë në pyetje nga Prokuroria Speciale vetë ministrja e Tregtisë, Ndërmarrësisë e Industrisë, Rozeta Hajdari, emri i së cilës ishte përfshirë në rastin në fjalë.
Bastisjet dhe arrestimet erdhën pas publikimit të audio-incizimeve për rezervat shtetërore, e që sipas Prokurorisë, pavarësisht se u janë paguar paratë kompanive turke e polake për grurë, vaj e sheqer, këto produkte nuk kanë ardhur në Kosovë dhe rrjedhimisht buxheti i Kosovës është dëmtuar mbi 600 mijë euro.
Dosja e Prokurorisë tregonte që ishte paraparë furnizimi në sasi prej 10 mijë tonë me çmim 4,834,778 euro; 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kilogramë sheqer, me çmim prej 276 mijë euro – shuma këto të paguara në tërësi në formë të avancës.
Prokuroria pretendon se Ministria kishte pranuar vetëm 9.947.5 tonë grurë, pra 52.5 tonë më pak sesa sasia e kontraktuar. Ndërsa vaji dhe sheqeri dyshohet se nuk janë sjellë fare.
Lidhur me këtë rast të dyshuar janë dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara bashkë me afaristin Ridvan Muharremi për veprat “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, si dhe “Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare’’.
Ndërkaq, më 31 gusht 2023, Muharremi dhe të dy zyrtarët shtetërorë ishin liruar nga paraburgimi. Muharremi dyshohet se ka ndërmjetësuar kundërligjshëm në blerjen e rezervave shtetërore nga Turqia dhe Polonia.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e kishte mbrojtur ministren e vet duke i hedhur poshtë dyshimet për keqpërdorimet me rezervat shtetërore.
“Nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi. Unë kam besim të plotë në ministren e Industrisë Rozeta Hajdari dhe në punën e saj. Pas luftës në Ukrainë, kur kishte krizë globale, ministria që ajo drejton, i ka blerë rezervat dhe i ka mbushur depot në një kohë kur të gjithë kufijtë ishin mbyllur e pothuajse të gjitha shtetet kishin ndaluar eksportin”, kishte thënë ai.
Në lidhje me këtë rast, ishte edhe vet kryeministri Kurti i cili ka pranuar ftesë për intervistim nga Prokuroria Speciale në rolin e dëshmitarit, më 16 dhjetor.
Kurti, jo që nuk ishte lajmëruar në Prokurori, por kishte thënë se “do të ishte i gatshëm t’i mirëpres prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët”.
Kurse ministrja në Prokurori e Gjykatë iu desh të paraqitej edhe për një rast tjetër, por që nuk kishte lidhje me korrupsionin. Ajo kishte goditur me makinë një qytetar në rrugë, e si shkak i ishin shkaktuar lëndime trupore.
Pas Hajdarit, në korrik të këtij viti në pyetje nga organet e hetuesisë u morë edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në rolin e dëshmitares.
Intervistimi i ministres u bë me autorizim të Prokurorisë Speciale, pas deklarimeve në emisionin “DebatPlus në RTV Dukagjini” se prokurorë e gjyqtarë kanë kërkuar takim me të për raste të caktuara, e pas statusit të saj ku kishte thënë se arratisjet nga burgjet e Kosovës janë të nxitura nga Serbia.
Ministrja Haxhiu më 20.07.2024 në rrjetin social në Facebook kishte shkruar mes tjerash se arratisja e disa personave që po kërkohen nga institucionet e Kosovës po bëhet në drejtim të territorit të Serbisë.
“Informacionet e organeve tona sugjerojnë që së paku në disa raste, këto arratisje janë cytur, organizuar, bashkëorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë. Ky organizim konsiston në dhënien e garancisë që për personat e tillë territori i Serbisë, grupet kriminale atje, e nivele të caktuara të pushtetit, u ofrojnë mburojë nga ndjekja penale e Republikës se Kosovës” – shkruante mes tjerash Haxhiu.
Për më tepër, ajo kishte akuzuar Prokurorinë Speciale se “po e pengonte në punën e saj”.
E intervistimi i Albulena Haxhiut u kishte penguar shumë zyrtarëve të Vetëvendosjes, e liderit Albin Kurti.
Shpesh herë në deklarime të njëpasnjshme ata thanë se Prokuroria më shpejtë ftoi për interivstim Haxhiun për një status në Facebook, se sa hapi hetimet në rastin e sulmit terrorist të Banjskës.
Në Prokurorinë Speciale iu desh të shkojë edhe një ministre tjetër të Kurtit. Në rolin e dëshmitares ishte intervistuar edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Siç edhe ishte konfirmuar intervistimi i saj lidhej me rastin e hapur nga Prokuroria për hetim ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqin, ndaj të cilit tashmë ka aktakuzë.
Krasniqi ishte arrestuar nga Prokuroria Speciale më 19 prill 2023. Sipas Prokurorisë, i njëjti dyshohej se kishte kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”. Ndërkohë, më 25 prill Bordi i KEK-ut e kishte pezulluar nga detyra e kryeshefit të kësaj korporate.
Krasniqi nga Prokuroria Speciale po akuzohet se ka bërë tregti për energji elektrike me një kompani sllovene e cila nuk ishte e licencuar në Kosovë. Mbi këtë bazë prokuroria pretendon se KEK-ut i është shkaktuar dëm në vlerë prej mbi 3 milionë euro.
Nagip Krasniqi ishte arrestuar më 19.04.2023 nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ushtrim të ndikimit dhe konflikt të interesit. Ai kishte qëndruar nën masën e paraburgimit që nga 20.04.2023, por ishte liruar pesë muaj më pas, me 15.09.2023.
Në lidhje më këtë rast, Prokuroria Speciale kishte intervistuar edhe koordinatoren e Komiteteve të Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali.
Pas përfundimit të seancës, Mihali kishte deklaruar se ishte intervistuar “për të ndihmuar prokurorin në zbardhjen e të vërtetës”.
Kurse, nga Prokuroria Speciale ishin deklaruar se Mihali ishte intervistuar në rolin e dëshmitares për disa çështje penale.
“Pas interesimit për të marr informacion nga një numër i madh i gazetarëve, Prokuroria Speciale informon se sot, Dejona Mihali, është paraqitur në Prokurorinë Speciale me ftesë të kësaj prokurorie. E njëjta është duke u intervistuar në cilësinë e dëshmitares për disa çështje penale, të cilat kjo prokurori i ka në hetim” – thuhej në njoftim.
Pas këtij zhvillimi, nuk mbetën pa reaguar partitë opozitare si dhe figura të tjera publike.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, përmes një reagimi në Facebook, shkruante se “mafisë energjetike” po i ngushtohet rrethi.
Kurse, Arben Gashi, shef i grupit parlamentar të LDK-së, ishte shumë i shkurtër në komentin e tij.
“Krimi ka emër” – shkruante Gashi.
I intervistuari tjetër nga Prokuroria Speciale ishte zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, në lidhje me tenderin e rrugës Prishtinë-Podujevë, në vlerë 40 milionë euro.
Lajmin për intervistimin e tij, kishte bërë ditë më parë vetë Durmishi përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
Durmishi nuk kishte njoftuar në çfarë cilësie ishte ftuar për t’u intervistuar, si i dyshuar apo si dëshmitar.
Kontrata për të cilën janë ngritur dyshime ndaj zëvendësministrit Durmishi është nënshkruar në kohën kur kishte ankesë në OSHP, teksa një gjë e tillë është në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik.
Për këtë shkelje Gjykata e Tenderëve kërkoi që Krasniqit t’i revokohet certifikata e zyrtarit përgjegjës të prokurimit.
Ankesa në OSHP ishte dorëzuar më 15.06.2023, ndërsa kontrata ishte nënshkruar katër ditë më vonë, më 19.06.2023 nga Nexhat Krasniqi, zyrtar përgjegjës i Prokurimit, i cili është futur në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kontrata ishte nënshkruar edhe nga Hysen Durmishi, zv/ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, si dhe nga Izedin Bytyqi, zv/zyrtar kryesor Administrativ në këtë ministri.
E dyert e Prokurorisë Speciale brenda këtij viti iu desh t’i kalonin shumë z yrtarë qeveritarë. Madje nën hetime mbeten ende shumë prej tyre.
Duhet përkujtuar këtu edhe hetimet që kjo prokuroi po kryen në lidhje me keqpërdorimet që thuhet se u bënë për ambalazhuesit e ujit.
Prokuroria Speciale mori aktvendim për zgjerimin e hetimeve në çështjen e ambalazhuesve të ujit. Në një aktvendim që e ka siguruar Nacionalja, i pandehur rezulton të jetë Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Sipas dokumentit të siguruar nga Nacionale, ministri Liburn Aliu dyshohet se gjatë periudhës kohore prej vitit 2021-2024 në cilësinë e personit zyrtar, pra si ministër, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo të tjerët dhe për t’i shkaktuar dëm Buxhetit të Republikës së Kosovës, ka keqpërdorur pozitën zyrtare.
Ai dyshohet se duke qenë në dijeni se zyrtarët e kësaj Ministrie të pandehurit Izedin Bytyqi e Naser Hafizi, zyrtar ky që vazhdon të jetë prapa grilave vepruan në kundërshtim të plotë me rregullat, procedurat e ligjet në lidhje me llogaritjen e borxheve.
Ministri Liburn Aliu dyshohet se ka lejuar, me qëllim përfitimi e për t’i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit, që operatorëve ekonomik të u zvogëlohen borxhet.
Më këtë sipas aktvendimit për zgjerimin e hetimeve, Ministri Aliu i ka shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës miliona euro.
Ndërkaq, afera më skandaloze e raportuar në kuadër të këtyre zyrtarëve natyrisht se mbetet ajo e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili gjithashtu u intervistua nga Prokuroria Speciale.
Ky intervistim erdhi pas dyshimeve për një aferë financiare të Berishajt në Slloveni, për të cilën është raportuar gjerësisht në medie.
Në mediumet sllovene, në prill të vitit të kaluar, ishte raportuar se politikani slloven Robert Golob ka bërë transaksione nga dega serbe e furnizuesit energjetik slloven GEN-i, për te kompania e Berishajt, MB Consulting. E nga kompania e Berishajt janë nxjerrë më pas gradualisht 600 mijë euro para të gatshme që dyshohet se i janë kthyer Golobit.
Televizioni slloven, në kronikën e transmetuar, tregonte se në xhirollogarinë e MB Consulting, e regjistruar në Mal të Zi, nga një kompani serbe janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro, për çdo muaj. Pronari i vetëm i kompanisë MB Consulting, në bazë të dokumentacionit zyrtar, është Martin Berishaj.
Në raportimet e medies sllovene, Berishaj dyshohej se ka bartur në para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi për tek politikani slloven.
Përveç kësaj, ambasadori Berishaj po hetohet edhe për deklarim të rremë të pasurisë, që këtë hetim e kishte konfirmuar kohë më parë edhe Agjencia Kundër Korrupsionit, duke theksuar se ka dorëzuar një kallëzim penal në prokurori.
Ndërsa zv/kryeministres Donika Gërvalla duket se puna me hetuesinë i përfundoi. Kjo pasi gjatë vitit 2024 në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë u mor vendim që hetimet ndaj saj të mbyllen në lidhej me mos-deklarimin e pasurisë për të cilën edhe i ishte ngritur aktakuzë.
Vendimi përfundimtar doli që aktakuza të hidhet poshtë.
Pavarësisht intervistimeve dhe ngritjes së aktakuzave ndaj këtyre zyrtarëve të lartë, nuk ka pasur dorëheqje ose shkarkim të tyre, por më tepër ata janë mbrojtur nga vet kryeministri Albin Kurti.
Kosova, prej vitesh, është në shënjestër të kritikave të institucioneve dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare për, siç thuhet, nivel të lartë korrupsioni.
Në raportin e fundit të Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në botë të publikuar në prill të këtij viti, thuhet se në Kosovë ka pasur “disa raportime për korrupsion në Qeveri” dhe se “zyrtarët, nganjëherë, përfshihen në praktika korruptive pa u ndëshkuar”. /Lajmi.net/