Skandale, grante, e përzierje të personaliteteve nga Pamuk në “Pambuk”- Për çka u përfolën më shumë 4 ministrat e Kurtit gjatë vitit 2024
Fillimi i vitit 2025 po sjell fundin e këtij mandati të qeverisjes së shtetit. Aktualisht me vendin po udhëheq Qeveria Kurti. Një mandat i plotë, “me shumë sfida” siç e quajnë pushtetarët, por edhe goxha befasues për lajmet që qarkulluan për personat me detyra zyrtare e vendimmarrëse për vendin. Në këtë artikull po përmendim disa…
Lajme
Fillimi i vitit 2025 po sjell fundin e këtij mandati të qeverisjes së shtetit.
Aktualisht me vendin po udhëheq Qeveria Kurti.
Një mandat i plotë, “me shumë sfida” siç e quajnë pushtetarët, por edhe goxha befasues për lajmet që qarkulluan për personat me detyra zyrtare e vendimmarrëse për vendin.
Në këtë artikull po përmendim disa prej ministrave më të përfolur gjatë vitit që lamë pas dhe arsyet pse.
Ndër më të përfolurat padyshim se edhe këtë vit ishte shefja e diplomacisë së vendit, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, përcjell lajmi.net.
“Gafat“ e Gërvallës jo rrallë herë qarkulluan në media.
Ajo shpesh ia huqi me emra, flamuj, e ngatërrim personash.
E fundit ishte kjo me kryetarin e komunës së Zveçanit, Iliri Pecin. Ajo e ngatërroi nipin e Isa Boletinit me kryetarin Peci.
Edhe projekti muzikor “llafe-llafe” i Dafinës u përfshi në çështje politike, madje nga vetë ministrja Gërvalla.
Në fjalorin e Gërvallës hiti i këngëtares shkoi si “përshëndetje” për presidenten e vendit Vjosa Osmani, me të cilën ministrja nuk dukej që gëzonte një komunikim fort të mirë, anipse dikur ishin “shoqe të ngushta”. Prishja e raporteve me Osmanin e bëri Gërvallën që t’i hedh në publik thuajse të gjitha.
Ndërsa, sa i përket njohjeve, të tilla në mandatin e saj nuk pati.
Njohjen e fundit Kosova e pranoi në vitin 2020 nga Izraeli.
Për njohësit e çështjes, Kosova nuk pati strategji në këtë drejtim, e as ministrja e Punëve të Jashtme nuk duket të ketë ndonjë përgjigje për këtë.
Megjithatë, Gërvalla do të sigurohet për një çështje.
Ambientin e ministrisë do ta lë në kushte të favorshme.
Edhe përkundër faktit që njohje të reja përgjatë katër viteve mandat nuk pati, kjo gjë do të jetë e sigurt: ministrja Gërvalla, këtë ministri do ta lë me perde të reja për të cilat u planifikua të shpenzohen hiç më pak se 9990 euro.
116 perde të mëdha e 103 të vogla ka planifikuar t’i blejë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e udhëhequr nga Donika Gërvalla.
MPJD pati specifikuar veçoritë e perdeve që kërkon duke vendosur specifika si në vijim: Ato të jenë të kualitetit të lartë, rollne, dhe të jenë ngjyrë qumështi.
E në një rast tjetër, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla e ka quajtur “super-star” kryeministrin Albin Kurti, para qytetarëve në sheshin “Skënderbeu”.
Ajo ka njoftuar se “super-stari” ndodhet në Paris, por që ka dërguar një video.
Teksa e bëri prezentimin e videos së Kurtit, Gërvalla ia huqi duke e quajtur “video masazh”.
“Një super star është dashur të jetë në Paris. Andaj na ka dërguar video masazh.
“Grantet” e Faton Pecit u diskutuan mjaftë shumë.
Nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural u ndanë dy grante në vlerë prej 100 mijë eurosh.
Grantet padyshim që janë diçka në ndihmë të qytetarëve, por çudia këtu qëndron në një pikë tjetër.
E pazakontë ishte që këto ndihmesa të ndahen pikërisht për persona të afërm me njerëz të pushtetit.
Familjarët e kryetares së Komisionit për Bujqësi në Kuvendin e Kosovës, Fitore Pacollit, u shpërblyen me plot 200 mijë euro grante.
Pikërisht në këtë kohë nga ministria iu refuzua projekti Fahrije Hotit me Kooperativën Bujqësore “Krusha, gjë e cila ngriti reagime të shumta.
Megjithatë ministri e mohoi një gjë të tillë, e sipas tij lë të nënkuptohet se në ministrinë e tij çdo gjë shkon sipas meritokracisë.
“Secili sulm i juaji është i kuptueshëm sepse suksesi në sektorin e bujqësisë dhe ndryshimi është aq radikal sa që vështirë është të përpihet nga ju!”, ka shkruar Peci, duke shtuar se tani ai do të flasë më hapur se kurrë më parë dhe do të demaskojë “pafytyrësinë dhe kriminalitetin” e të gjithë atyre që kanë sulmuar qeverisjen aktuale.
E ky skandal nuk ishte i vetmi i ministrit Peci. Përpos granteve të shumta që shpërndau për miq e familjarë, ai punësoi njerëz të shumtë në ministri.
Madje në një debat televiziv atij iu pranua në në sy nga zv.ministri i Brendshëm, Blerim Gashani se i ishte punësuar motra në ministrin e Bujqësisë ( të drejtuar nga Faton Peci).
Përpos kësaj, ministri Peci u raportua se punësoi anëtaren e partisë dhe asistenten e tij në ministri si zyrtare.
I njëjti po ashtu u tha se ka marrë staf të ri për stafin që veçse ekziston në ministrinë e Bujqësisë.
E ai nuk la pa ndarë një grant 100 mijë euro edhe për këshilltarin e jashtëm, Naim Huruglica, njeriun që dikur kishte rrezikuar vendin e më pas ishte larguar nga posti i drejtorit të Doganës së Kosovës.
Borxhet e 13 viteve u avulluan vetëm për 13 mijë euro për njërën prej kompanive të mëdha në vend.
Ministra e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, e drejtuar nga Liburn Aliu, “bashkë me Naser Hafizin”, zëvendësues i Drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore dyshohet se i shlyen kompanisë “Fluidi” borxhin prej 3.5 milionëve për vetëm 13 mijë euro.
Kjo shtetit i shkaktoi humbje prej rreth 3 milionë e 542 mijë euro.
Aliu ndërkohë dyshohet se së bashku me Hafizin kishin bërë shlyerjen e kundërligjshme të borxheve për 27 kompani të ambalazhuesve të ujit.
Në muajin tetor Prokuroria Speciale në bashkëpunim me Policinë e Kosovës realizoi një aksion në MMPHI.
Hetuesit e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike nga Policia e Kosovës arrestuan sekretarin e Ministrisë së Mjedisit, Izedin Bytyqi, dhe të dyshuarin tjetër Naser Hafizin
Hafizi dyshohet se ka kryer veprat: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” “Shpëlarje e parave” dhe “Mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”.
Nga gjithë kjo, Hafizit iu shqiptua masa e paraburgimit, ndërsa, Bytyqit masa e arrestit shtëpiak.
Por kjo s’është e tëra sa i përket ministrit Aliu.
Ai madje shpesh herë është cilësuar si “ministri më me pak punë të realizuara”. Nëse shikon infrastrukturën anembanë vendit kuptohet qartë se s’është punuar aspak.
Rrugët kryesore që ishin nisur prej diku 3-4 viteve, kanë mbetur ashtu edhe këtë vit.
E një prej problemeve më të mëdha mbetet ura e Badocit, e mos-punimet në autostradën Prishtinë-Gjilan.
Pikërisht për këtë autostradë, ministri Aliu pati deklaruar se priton të flasë për të, e që sipas tij i doli shumë problematike.
“Skandali me doracakët e Edukimit Seksual” i Ministrisë së Arsimit, Shkencës e Teknologjisë dhe rreziku i nxitjes në sjellje të papërshtatshme.
Goxha skandaloze doli të jetë edhe tema mbi Edukimin Seksual.
Doracakët që supozohet të jenë krijuar me qëllimin e edukimit, vetëm edukim nuk përcollën.
E domosdoshme e tejet e nevojshme të jetë pjesë e kurrikulës por është përmbajtja e aktiviteteve ajo që e bën doracakun të duket hiq më pak se jo i përshtatshëm.
Bëhet fjalë për lëndën “Edukimi Seksual dhe Shëndeti Riprodhues – Trupi im, ndjenjat dhe familja”.
“U thoni nxënësve ta gjejnë një partner me të cilin nuk janë shumë të afërt/ jo shokun ose shoqen e ngushtë. Në secilin çift, njëri duhet të veprojë si e i verbër dhe tjetri si shoqërues i të verbërit. Shoqëruesi i të verbërit mund të bëjë çfarë të dojë për rreth 5 minuta dhe pastaj ti ndërrojnë rolet. Pasi që kalojnë edhe pesë minuta të tjera ata I shkëmbejnë rolet. Pasi që përfundojnë edhe pesë minuta të tjera nxënësit duhet të ndalojnë dhe fillojnë të tregojnë se si janë ndjerë në secilin nga rolet…”, thuhej në një pjesë të doracakut.
Deputeti i pavarur në Kuvendin e Kosovës, Eman Rrahmani, i pari që nisi gjithë këtë “zhurmë” në seancën e Kuvendit, ka akuzuar ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci për dijeninë rreth kësaj çështjeje dhe mos ndërmarrjen e masave.
Ai i ra shkurt këtij sqarimi dhe theksoi se nxënësit kanë për “detyrë” që njëri të mbyllë sytë e tjetri/tjetra të prekë trupin e fëmijës dhe anasjelltas.
Madje në këto prekje hyjnë edhe ato tek pjesët intime, gjë kjo tejet shqetësuese.
“Në atë kurrikulë, ministrja Nagavci ka prezantuar në vitin 2023, që fëmijët prej klasës së parë deri në të 12-të, të marrin shembull një vajzë dhe ku i qesin para gjithë klasës, dhe njërit ia mbyllë sytë për 5 minuta, dhe nxënësi tjetër do ta prekë me dorën e tij gjithë trupin me sy mbyllur, dhe pastaj do t’i ndërrojnë rolet, e ku pastaj vajza do ta prek fëmijën tjetër, dhe para gjithë klasës do të tregojnë se çka kanë ndjerë, çfarë organi kanë prekur”, tha gjithashtu ish-deputeti i VV-së.
Pas gjithë kësaj buje, MASHTI njoftoi se ka vendosur t’i rishikojë doracakët për edukimin seksual dhe shëndetin riprodhues në shkolla, të cilët ngjallën shumë reagime.
Përpos kësaj çështje, ministrja Nagavci u përfol shumë edhe për gabimet që bënte gjatë prezantimit të figurave të rëndësishme.
Ngatërrimi i identitetit të tyre, e duke i përzier shpesh herë individët e caktuar ajo doli shumë herë si “ministrja e gabimeve”.
Ajo madje në një rast autorit të njohur Orhan Pamuk, i ishte drejtuar si “Orhan Pambuk”.
Gjë për të cilën kishin reaguar shumë njohës.
Por në një ceremoni të zhvilluar në Pejë, Nagavci gjithashtu kishte përzieri një akademik.
Gjatë një ceremonie në Pejë ku akademiku Muhamedin Kullashi u nderua me çmimin “Honoric Causa”, Nagavci ia huqi mbiemrin akademikut.
Në vend të Kullashi, ajo i tha “Muhamedin Kullashku”
“Është kënaqësi e veçantë për mua që të jem sot bashkë me të gjithë ju në ceremoninë për shënimin e 11-vjetorit të Universitetit Haxhi Zeka në Pejë dhe njëkohësisht në ndarjen e çmimit Doctor Honoris Causa për ambasadorin Kullashku”, tha ministrja.
Emrat e lartpërmendur nuk është se janë përmendur për ndonjë arritje gjatë këtij viti (përpos atyre që i kanë cilësuar vetë si arritje), këta ministra nëse nuk do të jenë pjesë drejtuese e dikastereve në një qeveri të ardhshme do të mbahen mend për huqje të shumta gjatë drejtimit të institucioneve përkatëse./Lajmi.net/