13.4 milionë euro për hyrjen e Ferizajt me katër korsi, Abrashi paralajmëron edhe projekte tjera

Kryeministri i Kosovës,  Avdullah Hoti bashkë me ministrin e infrastrukturës, Arban Abrashi kanë marr pjesë në nisjen e punimeve në zgjerimin e rrugës  “Hyrja në Qytetin e Ferizajt”, investim ky i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Lajme

21/01/2021 15:14

Kryeministri Hoti tha se krijon qasje më të mirë me komunat përreth, duke lehtësuar edhe të bërit biznes.

“Ky është projekt me rëndësi që krijon qasje të mirë për qytetarët e Ferizajt me komunat për rreth. BERZH një partner i madh zhvillimor për Republikën e Kosovës duke financuar shumë projekte infrastrukturore. Ky projekt i akomodon të gjitha nevojat e bizneseve dhe do të përfundohet në afat rekord”, tha Hoti.

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, tha se me BERZH-in do të ketë edhe shumë projekte të tjera në infrastrukturë.

“Pas një pune të gjatë po fillon një projekt i rëndësishëm që ndryshon edhe pamjen e qytetit, lehtëson lëvizjen e qytetarëve, e posaçërisht të bizneseve. Kemi filluar edhe për këtë vit hartimin e projekteve tjetra, të cilat i japin formë dhe e lidhin Kosovën me vendet fqinje. Kemi diskutuar me BERZH-in edhe lidhjen e Ferizajt me Brezovicën, nga Peja për në Çakorr, kurse ajo çka është më e rëndësishmja që do ta ofrojmë Kosovën edhe më shumë me Evropën, me autostradën për Merdare që kemi aplikuar për financim. Po ashtu këtë vit do ta nisim rrugën me 4 korsi, që ka mbetur me vite pezull, autostrada e  Pejë (Kijevë – Zahaq)”, tha Abrashi.

Ndërsa, udhëheqësi i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Kosovë, Neil Taylor, tha se projekti është i gjatë 5.6 kilometra dhe do të ketë impakt shumë të madh tek bizneset dhe njerëzit. Ai tha se BERZH do të vazhdojë financimin në modernizimin e infrastrukturës në Kosovë.

Projekti parasheh të përfundojë në janar-shkurt të vitit 2023, gjatësia është 5.6 kilometra me katër korsi dhe do ta ketë ndriçimin, trotuaret dhe të gjitha standardet. /Lajmi.net/