Njohja nga Sudani, reagon Donika Gërvalla: Kosova forcon subjektivitetin në Afrikë, kjo njohje vjen vetëm pak javë pas lajmit të mirë nga Kenia

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka reaguar pas lajmit për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Republika e Sudanit, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të vendit. “Republika e Kosovës sot shënoi edhe një moment tjetër të rëndësishëm në rrugëtimin e…

Lajme

12/04/2025 21:58

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka reaguar pas lajmit për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Republika e Sudanit, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të vendit.

“Republika e Kosovës sot shënoi edhe një moment tjetër të rëndësishëm në rrugëtimin e saj ndërkombëtar – njohjen nga Sudani. Kjo njohje vjen vetëm pak javë pas lajmit të mirë nga Kenia, duke forcuar më tej praninë dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës në Afrikë dhe përtej saj,” shkroi Gërvalla në një postim në platformat sociale.

Ministrja ka shprehur mirënjohje ndaj autoriteteve sudaneze për vendimin e tyre, si dhe ka falënderuar Presidenten Vjosa Osmani për angazhimin e saj në këtë proces, duke vlerësuar gjithashtu mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë që kontribuan në këtë sukses diplomatik.

“Presim me padurim ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme diplomatike dhe bashkëpunimin konkret me Sudanin në fusha me interes të ndërsjellë,” përfundoi ajo.

Sudani bëhet vendi i 119’të që i bashkohet listës së shteteve që kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.