Prokuroria në Mitrovicë kërkon caktimin e masës së paraburgimit për policin, i cili dyshohet se shkaktoi aksidentin në Çubrel
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për zyrtarin policor, i cili dyshohet se ka shkaktuar aksidentin në Çubrel të Skënderajt. Lajmin për lajmi.net e ka konfirmuar zëdhënësi i kësaj Prokurorie, Valon Preteni. “Për personin e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Rrezikimi i trafikut publik me fatalitet”, gjatë ditës së…
Lajme
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për zyrtarin policor, i cili dyshohet se ka shkaktuar aksidentin në Çubrel të Skënderajt.
Lajmin për lajmi.net e ka konfirmuar zëdhënësi i kësaj Prokurorie, Valon Preteni.
“Për personin e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Rrezikimi i trafikut publik me fatalitet”, gjatë ditës së djeshme është paraqitur kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente”, ka thënë Preteni.
Të dielën, më 26 janar të këtij viti një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në magjistralen Mitrovicë-Pejë, saktësisht në fshatin Çubrel të Skënderajt.
Nga ky aksident trafiku, tre persona kanë vdekur ndërsa pesë janë lënduar, katër nga të cilët ishin zyrtarë policorë.
Siç ka njoftuar Policia e Kosovës, në këtë aksident kanë qenë të përfshira një veturë civile dhe një veturë zyrtare e Policisë së Kosovës.
“Rr. Rajonale Mitrovicë – Pejë Fsh. Çubrel / 26.01.2025 – 18:40. Është raportuar për një aksident trafiku në mes dy automjeteve (njëra veturë civile dhe tjetri automjet i PK-së), ku si pasojë e aksidentit tre persona (civil) një mashkull dhe dy femra kanë ndërruar jetë, vdekjen e të cilëve e ka konstatuar ekipi mjekësor, ndërsa lëndime të rënda trupore kanë pësuar katër zyrtar policor meshkuj kosovarë dhe një person (civil) mashkull kosovar, të cilët janë dërguar në QKUK për tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante të policisë, institucionet kompetente IPK-ja dhe prokurori i shtetit. Trupat e pajetë janë dërguar në IML për obduksion, përderisa lidhur me aksidentin janë duke u kryer hetime”, thuhej në raportin e Policisë.
Inspektorati Policor i Kosovës, të nesërmen (e hënë) përmes një komunikate për media pati njoftuar se ky aksident ishte shkaktuar pasi vetura e Policisë së Kosovës nuk e kishte përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës si dhe po drejtonte automjetin në krahun e kundërt.
Në lidhje me këtë, IKP ka rekomanduar suspendimin e zyrtarit policor.
“Bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se aksidenti ka ndodhur si rezultat i mos përshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes së automjetit me kushtet e rrugës nga drejtuesi i automjetit zyrtar të policisë i cili ka kaluar në shiritin e kundërt duke goditur veturën civile… Si pjesë e procedurave administrative dhe në interes të hetimit, IPK ka rekomanduar suspendimin e zyrtarit policor i cili ka qenë drejtues i automjetit zyrtar të policisë në momentin e aksidentit përderisa lidhur me aksidentin janë duke u ndërmarrë veprime hetimore në koordinim me prokurorin kompetent”, ka njoftuar IPK.
Nga ky aksident kanë humbur jetën tre anëtarë të familjes Gashi nga Peja, nëna, djali dhe bashkëshortja e tij. /Lajmi.net/