Prizren: Gjykata cakton një muaj paraburgim për dy të dyshuarit për vrasje të rëndë në Kobaj, pas përleshjes ku humbi jetën një 27-vjeçar

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit ndaj dy të dyshuarve, Sh.O., një të mituri dhe A.O., të përfshirë në rastin e vrasjes së rëndë që ka ndodhur në fshatin Kobaj të Prizrenit. Sipas vendimit të gjykatës, masa e paraburgimit është caktuar në kohëzgjatje prej një muaji, për shkak të dyshimit të bazuar…

Lajme

16/06/2026 16:03

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit ndaj dy të dyshuarve, Sh.O., një të mituri dhe A.O., të përfshirë në rastin e vrasjes së rëndë që ka ndodhur në fshatin Kobaj të Prizrenit.

Sipas vendimit të gjykatës, masa e paraburgimit është caktuar në kohëzgjatje prej një muaji, për shkak të dyshimit të bazuar për veprat penale “vrasje e rëndë në bashkëkryerje” dhe “shtytje në vrasje të rëndë”.

Gjykata ka vlerësuar se ekziston rrezik që të dyshuarit të arratisen, të ndikojnë në dëshmitarë apo të pengojnë rrjedhën e procedurës penale, duke pasur parasysh peshën e rëndë të veprës dhe fazën fillestare të hetimeve.

“Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit, ndaj të pandehurve ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë”.

Rasti lidhet me ngjarjen e 14 qershorit 2026 në fshatin Kobaj, ku sipas Policisë dhe dosjes hetimore, pas një konflikti të mëhershëm mes familjarëve dhe mosmarrëveshjeve për një çështje lokale, palët janë përfshirë në përleshje fizike.

Gjatë përleshjes dyshohet se është përdorur thikë, ku si pasojë ka humbur jetën një mashkull rreth 27 vjeç, ndërsa një person tjetër ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor.

Hetimet për rastin po vazhdojnë. /Lajmi.net/