Një muaj paraburgim të dyshuarit për krime lufte në Kosovë
Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit me inicialet J.R., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”. Vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj…
Lajme
Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit me inicialet J.R., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, për të cilin ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale sipas nenit 142 lidhur me nenin 22 të ish-Ligjit Penal të ish-RSFJ-së.
Pas seancës dëgjimore, gjyqtarja e procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale dhe ka caktuar paraburgimin në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Sipas Gjykatës, masa është vendosur për shkak të rrezikut që i pandehuri mund të arratiset dhe t’i shmanget përgjegjësisë penale, duke marrë parasysh edhe faktin se ai është shtetas i Serbisë.
Gjykata ka vlerësuar gjithashtu se ekziston mundësia që, nëse lihet në liri, i dyshuari të ndikojë në prova dhe dëshmitarë gjatë zhvillimit të procedurës.
Ndaj këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Rasti vjen në kohën kur autoritetet e Kosovës po zhvillojnë hetime për dyshime për krime lufte në zonën e Zubin-Potokut, ku javën e kaluar u arrestuan tre persona, ndërsa u raportua edhe për zbulimin e varreve masive në fshatrat Kalludër dhe Jabukë. /Lajmi.net/