Mbi 127 milionë euro për shtesat për fëmijë brenda një viti dhe mbi 23 milionë euro për lehonat e papuna, por pa ndryshim në përfitimet mujore

Edhe pse rritja e shtesave për nënat lehona në nivelin e pagës minimale ishte prezantuar si një nga zotimet kryesore të Qeverisë, ende nuk ka një vendim konkret për zbatimin e këtij premtimi, disa muaj pas formimit të institucioneve dhe miratimit të buxhetit për vitin 2026. Kjo pasi gratë lehona nuk i kanë marrë shtesat…

Lajme

07/05/2026 13:00

Edhe pse rritja e shtesave për nënat lehona në nivelin e pagës minimale ishte prezantuar si një nga zotimet kryesore të Qeverisë, ende nuk ka një vendim konkret për zbatimin e këtij premtimi, disa muaj pas formimit të institucioneve dhe miratimit të buxhetit për vitin 2026.

Kjo pasi gratë lehona nuk i kanë marrë shtesat për muajt janar e shkurt, në lartësi të pagës minimale prej 425 eurosh.

Në muajt që lamë pas, lehonave shtesat e shkurtit u kanë dalë në vlerë të 325 eurove, ndonëse pagesa mujore në vlerë të pagës minimale ka qenë premtim në programin qeverisës të Vetëvendosjes.

Përmbushjen e këtij zotimi, që në javën e parë pas marrjes së mandatit, e pati premtuar kryeministri tani në detyrë, Albin Kurti, në Kuvend para se të votohej kabineti qeveritar në tetor.

Edhe pse një gjë e tillë ishte paraparë, deri Qeveria nuk ka marrë vendim për rritjen e këtyre shtesave.

Kurse javë më parë nga Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare kanë thënë se rritja do të bëhet me vendim të Qeverisë, porse nuk kanë treguar se kur do të ndodhë.

“Lidhur me pyetjen e parashtruar rreth lartësisë dhe shumës së përfitimeve të shtesave për lehona në vlerën e pagës minimale prej 425.00 eurosh ju njoftojmë se për çdo rritje të shtesave për lehona apo përfitimeve të tjera do të rregullohet me vendim të Qeverisë dhe Ministrisë, në kuadër të të cilave vendime do të përcaktohet edhe mënyra e zbatimit”.

Kurse nga ministria nuk ishte bërë e ditur nëse këto pagesa do kthehen në mënyrë retroaktive.