18 ditë më vonë, sot iu dalin pagat minatorëve të Trepçës

Miniera e Trepçës është një nga ndërmarrjet shtetërore me më së shumti probleme ekonomike financiare, e që zakonisht përkthehen në mospagesa ndaj minatorëve. Të zakonshëm janë muajt kur ata nuk marrin paga, e të rralla ato kur i marrin pagat me kohë. Një situatë e ngjashme ka ndodhur edhe me pagën e muajit maj, kur…

Lajme

18/06/2025 13:25

Miniera e Trepçës është një nga ndërmarrjet shtetërore me më së shumti probleme ekonomike financiare, e që zakonisht përkthehen në mospagesa ndaj minatorëve.

Të zakonshëm janë muajt kur ata nuk marrin paga, e të rralla ato kur i marrin pagat me kohë.

Një situatë e ngjashme ka ndodhur edhe me pagën e muajit maj, kur punëtorët e Flotacionit dhe sigurimi fizik i minierës së Trepçës nuk i kanë marrë pagat deri sot, më 18 qershor.

Në lidhje me këtë, lajmi.net ka kontaktuar me kryetarin e Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Trepçës, Ibrahim Januzin i cili e ka konfirmuar këtë.

“Sot iu janë realizuar pagat”, ka thënë Januzi shkurtimisht për lajmi.net.

Më 16 qershor, Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës përmes një komunikate për media ka shkruar për këtë padrejtësi të radhës që iu është bërë atyre.

“Punëtorët e Flotacionit dhe sigurimi fizik nuk i kanë marrë pagat fare dhe kjo po ndodh në heshtjen e plotë të Ministrisë së Linjës, Bordit dhe Menaxhmentit të Ndërmarrjes. Pavarësisht sakrificave ditore në kushte ekstreme pune, pa furnizime, pa investime, kur ne arrijmë rekorde prodhimi për vite me radhë, ju  institucionet përgjegjëse  heshtni, duke na shpërblyer me zero. Ky është fyerje për çdo punëtor që rrezikon jetën çdo ditë pune mbi tokë, nën tokë!”, thuhej në atë komunikatë.

Nga kjo Sindikatë patën paralajmëruar edhe veprime sindikale, shkruan lajmi.net.

“Ju kujtojmë: nuk do të ketë më heshtje përballë këtij diskriminimi. Nëse nuk ka reagim urgjent dhe ekzekutim të menjëhershëm të pagave për të gjithë punëtorët pa përjashtim, ne si Sindikatë do të ndërmarrim masa të forta sindikale dhe protesta publike. Minatorët nuk janë numra! Janë njerëz që punojnë me dinjitet në vendin më të vështirë dhe më të rrezikshëm të punës. Stop lojërave me jetën dhe djersën e tyre”, thuhej në komunikatë derisa fajësonin Ministrinë dhe Qeverinë për situatën e krijuar.

Trepça ndër vite është përballur më vështirësi financiare, duke filluar që nga kushtet e vështira me të cilat përballen minatorët e deri tek makineria e vjetër me të cilat punojnë.

Makineritë e Trepçës janë mbi 50 vjet të vjetra dhe mungesa e mirëmbajtjes së tyre ka shkaktuar probleme të vazhdueshme.

Rënia e prodhimit kishte nisur qysh në vitet ’90 kur regjimi i atëhershëm i Serbisë kishte mbyllur gati të gjitha ndërmarrjet dhe institucionet në vend.

Kurse, që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, Trepça asnjëherë nuk ka arritur të vihet në funksion të zhvillimit ekonomik.

Qeveria aktuale, në disa raste, është zotuar se do ta bëjë Trepçën “ndërmarrje fitimprurëse”. Për investime në këtë kombinat, në vitin 2023, Qeveria e Kosovës miratoi një kredi prej 20 milionë eurosh. Por, këto mjete financiare nuk janë ekzekutuar ende.

“Kanë mbetur edhe disa çështje të rregullohen dhe besoj se deri në fund të këtij viti, këto mjete do të ekzekutohen”, tha kryeshefi i Trepçës, Bashkim Kurti, duke mos specifikuar se për çfarë çështjesh bëhej fjalë.

Trepça pritet të kalojë nën Fondin Sovran të Qeverisë së Kosovës, që do t’i marrë në pronësi të gjitha asetet strategjike të vendit, për të investuar më pas në rritjen e vlerës së tyre.

Ligji për Fondin Sovran është miratuar në fund të vitit të kaluar, por Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës e kanë dërguar këtë ligj për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.

Komunikata e tyre e plotë: