1135 raste të dhunës në familje për 7 muaj

Bazuar në numrin e rasteve të raportuar, dhuna në familje ka shënuar rritje të madhe në krahasim me vitet e kaluara, ku në disa prej tyre ka përfunduar me fatalitet, sikurse që kemi pasur shumë raste kohëve të fundit.

Lajme

12/10/2019 10:31

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, vetëm gjatë periudhës janar-gusht 2019 janë raportuar 1135 raste të dhunës në familje, derisa sipas raportit të dërguar për Ekonomia Online vlerësohet se rastet e dhunës në familje të raportuara kanë shënuar rritje nga viti në vit.

Që nga viti 2015 e deri në tetë mujorin e vitit 2019 janë raportuar 6201 raste të dhunës në familje, derisa ekspertët deklarojnë se numri i viktimave të dhunës në familje është më i madh, por sipas tyre jo të gjitha rastet paraqiten në Polici.

Sociologu Besim Gallopeni, ka deklaruar që sipas statistikave globale 1/3 e femrave kanë përjetuar dhunë fizike apo seksuale, derisa e sheh shqetësuese numrin e madh të rasteve të dhunës në familje.

“Dhuna në familje në përgjithësi e ka përcjell shoqërinë gjatë gjithë zhvillimit të saj dhe kjo manifestohet në të gjitha vendet. Sipas statistikave globale çdo 1/3 e femrave e moshës mbi 15 vjet ka përjetuar gjatë jetës së saj njëherë të paktën dhunë qoftë fizike apo seksuale. Sipas statistikave në Kosovë, mbi 1500 raste të dhunës denoncohen në institucionet përkatëse në shoqërinë tonë brenda vitit. Kjo është mjaftë shqetësuese për ne si shoqëri”, tha ai.

Gallopeni ka bërë thirrje që të gjitha gratë të cilat po përjetojnë dhunën në familje ta paraqesin në Polici, dhe institucionet përkatëse të merren me denoncuesin.

“Problemi është shumë i madh në këtë rrafsh për shkak se akoma në shoqërinë tonë dhunën familjare e konsiderojnë si dhunë që i përket individit, familjes apo diçka e izoluar. Në shumicën e rasteve ne e heshtim dhunën, kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme. Bëjë thirrje që dhunën asnjëherë të mos ta shohin si një rast të izoluar, por gjithmonë duhet ta paraqesim në institucionet kompetente, dhe atu merren veprimeve kundrejt personit në këtë rast manifestimit të dhunës”, tha ai.

Ai theksoi se shoqëria jonë duhet të vetëdijesohet edhe më shumë, pasi siç tha ai 1/3 e rasteve nuk denoncohen në institucionet përkatëse, e cila sipas tij nuk bëhet për shkak të gjendjes financiare, frikës se divorcit apo edhe përfundimit të dhunës me fatalitet.

“Shoqëria e jonë akoma as 1/3 e rasteve nuk denoncohen në institucionet gjegjëse, kjo përbën një fakt shqetësuese, sepse dhuna duhet të denoncohet pavarësisht natyrës se manifestuar të saj. Të dyja gjinitë nuk e denoncojnë dhunën por me e theksuar është te bota femërore për shkak se varësia e saj ekonomike ndaj burrit, e bënë ata të frikësuar dhe ekzistenca e saj mund të përkeqësohet në rast se denoncohet dhe mund të dërgoj deri te divorci apo mbase edhe dhunë më fatalitet sikurse që kemi pasur shumë raste në shoqërinë tonë ndër vite”, u shpreh ai.

Gallopeni theksoi që shkaktarët që dërgojnë deri të dhuna në familje, janë lufta për fitimin e të drejtave, stresi apo frustrimi, varfëria dhe papunësia. Andaj siç tha ai të gjitha këto dërgojnë në dhunë në familje për të çliruar sjelljen e tyre.

“Femra duke besuar në heshtje, dhe në tejkalimin e kësaj situate individuale dhe familjare, mundohet që më do kusht ta heqë dhunën familjare, dhe kësisoj bënë që kjo të vuaj këtë problem. Shkaktarët kryesor të dhunës janë individual dhe shoqëror, lufta mes fitimit të drejtave nga bota femërore kundrejt botës mashkullore që kishte deri me tani. Bota mashkullore duke synuar vazhdimisht ti ruaj të drejtat dhe superioritetin që ka në familje, qon në konflikt dhe dhunë familjare. Ka edhe njerëz që janë të stresuar dhe të frustruar si dhe gjendja ekonomike në vend. Krejt ky frustrim e gjen vendin më të përshtatshme për tu çliruar dhe në familje. Rreth 30 për qind të popullatës e kemi të papunë, kemi një numër të madh të shkallës së varfërisë së përgjithshme dhe ekstre. Doemos kur qytetarët nuk arrijnë këto probleme ti zgjidhin gjejnë forma të ndryshme të sjelljes së tyre”, ka thënë Gallopeni.

Ndër të tjera, ai ka përmendur si shkaktarë dytësor edhe konsumimin e pijeve narkotike dhe alkooli.

Gallopeni deklaroi se nga dhuna në familje ata që më së shumti pësojnë përveç viktimës janë fëmijët, sipas tij e gjithë ndikon në mungesë të suksesit të fëmijëve, mungesë të socializmit, si dhe rritë agresivitetin.

“Shkaqet janë edhe padyshim konsumimi i pijeve narkotike, droga, alkooli. Që duke mos arritur për të kontrolluar vetën, doemos dërgon në dhunë në familje. Ajo që më së shumti pëson përveç viktimës, janë fëmijët e që ne më së paku si familje dhe shoqëri kujdesemi në këtë aspekt. Fëmijët gjithmonë dhunën në familje e përjetojnë si dika që ata janë shkaktari kryesor që po dërgojnë prindërit te dhuna. Reflekton një mungesë e suksesit, socializmit me bashkëmoshatarët dhe me rrethin ku jetojnë, por reflekton edhe në suksesin e mësimit dhe rritjen e agresivitetit”, u shpreh ai, derisa shtoi se në rast që rasti i dhunës nuk është trajtuar si duhet nga institucionet gjegjëse, atëherë qytetarët humbin besimin tek ato.

Siç tha ai, këto raste nuk duhet neglizhuar, pasi mund të marrë përmasa akoma më të gjera.

“Në rast se denoncohet dhuna, na ka rastisë që institucionet mos ta trajtojnë seriozisht apo të ketë që nuk është trajtuar për një kohë të gjatë. Qytetarët e humbin besimin e institucioneve se ato mund të zgjidhin problemet e tyre familjare dhe gjejnë forma të tjera drejt manifestimit të dhunës qoftë psikologjike apo fizike dhe seksuale. Institucionet duhet të reflektojnë menjëherë, kur paraqiten rastet të ndryshme të dhunës në familje dhe mos të neglizhohet. Sa më shumë që ne nuk i trajtojmë këto raste dhe i neglizhojmë natyrisht dhuna do të marr përmasa akoma më të gjera dhe manifestim më të lartë në shoqërinë tonë në përgjithësi”.