3.25 milionë euro veç truall e arë, banesa në vlerë mbi 459 mijë euro dhe të hyra vjetore mbi 220 mijë euro -Deklarimi i pasurisë së gjinekologut Veliu

Gjinekologu specialist në Gjinekologji dhe Obstetrikë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Afrim Veliu, ka deklaruar pasurinë e tij pranë Agjencisë Kundër Korrupsionit, ku figurojnë prona të shumta të paluajtshme, kursime bankare, pasuri të luajtshme dhe të ardhura të konsiderueshme nga disa burime. Sipas të dhënave zyrtare, Veliu është i punësuar në QKUK që…

Lajme

14/04/2026 14:00

Gjinekologu specialist në Gjinekologji dhe Obstetrikë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Afrim Veliu, ka deklaruar pasurinë e tij pranë Agjencisë Kundër Korrupsionit, ku figurojnë prona të shumta të paluajtshme, kursime bankare, pasuri të luajtshme dhe të ardhura të konsiderueshme nga disa burime.

Sipas të dhënave zyrtare, Veliu është i punësuar në QKUK që nga viti 1994, ndërsa paralelisht ushtron aktivitet edhe në sektorin privat në dy klinika në Prishtinë, “MEDICA+” dhe “Klinika Amerikane”.

Në deklarimin e pasurisë së paluajtshme, gjinekologu Afrim Veliu ka raportuar disa banesa me vlera të ndryshme, që në total arrijnë një shifër minimale prej rreth 459 mijë mijë euro, bazuar vetëm në njësitë për të cilat janë dhënë vlera të sakta. Po ashtu, ai ka deklaruar edhe një banesë 60 m² pa specifikuar vlerën, si dhe një tjetër njësi banesore të fituar përmes afarizmit dhe të ardhurave nga qiraja, për të cilat nuk janë dhënë të dhëna të plota. Në bazë të sipërfaqes, banesat më të mëdha të deklaruara janë dy njësi prej nga 76 m² secila, shkruan lajmi.net.

Në deklarimin e pasurisë së paluajtshme, gjinekologu Afrim Veliu ka raportuar edhe disa prona të tjera me sipërfaqe të mëdha dhe vlera të konsiderueshme, kryesisht toka, truall dhe një shtëpi.

Sipas të dhënave, ai ka deklaruar një truall me vlerë rreth 260 mijë euro, një truall tjetër me vlerë rreth 850 mijë euro, si dhe një truall prej 677 m² me vlerë rreth 600 mijë euro. Po ashtu, në listë figuron edhe një arë prej 4229 m² e blerë në vitin 2025 me vlerë mbi 1.3 milion euro, si dhe një shtëpi 400 m² e trashëguar me vlerë rreth 240 mijë euro.

Në total, vetëm këto prona të deklaruara arrijnë një vlerë minimale prej rreth 3.25 milionë eurosh, pa përfshirë lëvizjet eventuale të çmimeve apo vlerësimet shtesë të tregut.

Sa i përket sipërfaqes, prona më e madhe e deklaruar është ara prej 4229 m², ndërsa për nga vlera, më e shtrenjta rezulton të jetë po kjo njësi, me mbi 1.3 milion euro.

Në pasuritë e luajtshme, Veliu ka deklaruar edhe një veturë luksoze Mercedes-Benz të vitit 2024 me vlerë rreth 80 mijë euro, e blerë nga kursimet familjare dhe të ardhurat profesionale.

Sa i përket të hyrave, gjinekologu ka deklaruar disa burime të ndryshme të ardhurash. Ai merr pagë nga QKUK, të ardhura nga puna në dy klinika private, të ardhura nga puna jashtë orarit, të ardhura nga puna me orar të shkurtuar, si dhe të ardhura nga qiratë. Po ashtu, pjesë e të ardhurave familjare janë edhe pagat nga aktiviteti në BI Medica+ dhe nga bashkëshortja që punon në sektorin arsimor. Në total, të ardhurat vjetore të deklaruara të tij dhe familjes kalojnë shifrën prej 220 mijë e 703 eurosh.

Sa i përket kursimeve bankare, ai ka deklaruar mbi 160 mijë euro të shpërndara në disa banka në Kosovë, përfshirë TEB, NLB, Raiffeisen dhe ProCredit Bank. Derosa në deklarim figurojnë edhe dy kredi aktive, njëra në vlerë fillestare 100 mijë euro për blerjen e pajisjeve mjekësore dhe tjetra 50 mijë euro për blerje të pronës, me afate shlyerjeje deri në vitet 2027 dhe 2029.

Në total, të dhënat e deklaruara përfshijnë disa banesa, toka me vlera të larta, kursime të konsiderueshme dhe të ardhura të shumëfishta nga sektori publik dhe privat, duke e renditur atë ndër mjekët me pasuri të deklaruar më të lartë në vend.

Në një periudhë të mëhershme, ordinanca e tij private në Prishtinë ishte përfshirë në një incident sigurie, ku ishte raportuar për një mjet të dyshimtë shpërthyes në afërsi të objektit, duke bërë që policia të intervenonte në vendngjarje.

Po ashtu, ai kishte qenë viktimë e një sulmi fizik në lagjen Ulpiana në Prishtinë, ku ishte goditur me mjet metalik dhe kishte pësuar lëndime të lehta trupore.

Sipas deklarimeve të tij, ai kishte thënë se nuk beson që sulmi lidhet me profesionin e tij dhe se rasti mund të ketë qenë i rastësishëm. /Lajmi.net/