Pas disa ditësh në arrati, Vezir Haziraj dorëzohet në Polici – Prokuroria kërkon paraburgim për vrasje në tentativë, armëmbajtje pa leje dhe kanosje
Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj Vezir Hazirajt, i cili dyshohet për “Vrasje të mbetur në tentativë”, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Kanosje”. Kërkesa e Prokurorisë vjen pasi Haziraj, i cili ishte në arrati pas ngjarjes, është dorëzuar…
Lajme
Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj Vezir Hazirajt, i cili dyshohet për “Vrasje të mbetur në tentativë”, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Kanosje”.
Kërkesa e Prokurorisë vjen pasi Haziraj, i cili ishte në arrati pas ngjarjes, është dorëzuar më 15 gusht në Policinë e Pejës dhe është marrë në pyetje nga Hetimet Rajonale, shkruan lajmi.net.
Rasti lidhet me ngjarjen e 7 gushtit 2026 në fshatin Orroberd të Istogut.
Sipas Prokurorisë, rreth orës 20:40, pas një mosmarrëveshjeje mes Hazirajt dhe të dëmtuarit D.H., kishte ndodhur një përleshje fizike.
I pandehuri dyshohet se më pas kishte nxjerrë një pushkë gjuetie të modifikuar dhe kishte shtënë në drejtim të të dëmtuarit, duke e goditur në kofshën e majtë dhe duke i shkaktuar lëndime trupore të rrezikshme për jetën.
Pas incidentit, Haziraj dyshohet se ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Prokuroria dyshon gjithashtu se ai posedonte pa autorizim pushkën e modifikuar të gjuetisë, me të cilën dyshohet se është kryer vepra, si dhe një armë të shkurtër – revole.
Ndaj tij rëndon edhe dyshimi për kanosje. Sipas Prokurorisë, më 8 gusht, rreth orës 20:53, Haziraj dyshohet se përmes rrjeteve sociale kishte publikuar përmbajtje kërcënuese ndaj personave zyrtarë, duke i kanosur me përdorimin e armëve të zjarrit dhe mjeteve shpërthyese.
Ndërkohë, pas dorëzimit në Polici më 15 gusht, Haziraj ishte intervistuar nga ora 17:30, në prani të avokatit të tij. Sipas raportimeve të mëhershme, ai nuk kishte dhënë deklaratë lidhur me dyshimet ndaj tij dhe kishte shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje, me këshillën e mbrojtësit.
Mbrojtësi i tij kishte deklaruar se Haziraj ndodhej në gjendje të rënduar emocionale dhe kishte kërkuar ekzaminim mjekësor.
Prokuroria Themelore në Pejë ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit dhe kërkesën ia ka paraqitur Gjykatës kompetente për vendosje. /Lajmi.net/