Neglizhenca e Muçollit dhe të tjerëve e çoi Arlindën drejt vrasjes| IPK thotë se kanë filluar hetimet ndaj policëve, por se duhet “verifikim i plotë”

Sot bëhen katër ditë që nga momenti kur Arlinda Zekaj është vrarë në mënyrë mizore nga kunati i saj, Albert Sylaj, në shtëpinë e saj brenda dhomës së saj të fjetjes. Ishte pikërisht Arlinda Zekaj e cila prej disa muajsh, më saktësisht nga muaji qershor kishte filluar të trokiste në çdo derë institucionale, ligjore për…

Lajme

29/10/2026 10:58

Sot bëhen katër ditë që nga momenti kur Arlinda Zekaj është vrarë në mënyrë mizore nga kunati i saj, Albert Sylaj, në shtëpinë e saj brenda dhomës së saj të fjetjes.

Ishte pikërisht Arlinda Zekaj e cila prej disa muajsh, më saktësisht nga muaji qershor kishte filluar të trokiste në çdo derë institucionale, ligjore për të kërkuar ndihmë për dhunën psikike, fizike e për kërcënimet që po i bëheshin në vazhdimësi- nga bashkëshorti me të cilin po kryenin divorcin, nga kunati dhe të tjerët.

Por e kot. Arlinda Zekaj u vra me sëpatë, në mënyrë të tmerrshme sepse askush nga këto institucione nuk iu përgjigjen, madje i thanë se janë lodhur nga ajo.

Por ku është Inspektorati Policor i Kosovës tash e katër ditë, kur në publik dolën të dhëna të tmerrshme që tregojnë për neglizhencën e Policisë së Kosovës duke vazhduar më pas me Prokurori e gjyqësorë?.

Lajmi.net ka tentuar të marrë sërish një përgjigje nga Inspektorati se pse ende s’është marrë asnjë masë ndaj zyrtarëve policorë që disa prej tyre dihen tanimë edhe me emra.

Por sipas IPK-së se në kuadër të mandatit dhe kompetencave ligjore, tanimë ka filluar ndërmarrjen e veprimeve hetimore dhe verifikuese lidhur me mënyrën e trajtimit nga Policia e Kosovës të të gjitha rasteve të raportuara nga e ndjera Arlinda Zekaj.

Sipas Inspektoratit Policor hetimet kanë nisur dhe se këto veprime po ndërmerren me autorizim të Prokurorit të Shtetit, dhe se duhet verifikim i plotë i veprimeve.

“Këto veprime po ndërmerren me autorizimin e Prokurorisë së Shtetit dhe kanë për qëllim verifikimin e plotë të veprimeve dhe procedurave të ndjekura nga zyrtarët policorë gjatë trajtimit të raportimeve të saj”,thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Por pavarësisht nisjes së hetimeve dhe dëshmive publike, ata vazhdojnë të figurojnë ende si zyrtarë policorë të Kosovës, pa u marrë as edhe një vërejtje.

Inspektorati Policor i Kosovës është pyetur specifikisht edhe për togerin policor, Faruk Muçolli, i cili kur Arlinda Zekaj kishte paraqitur rastin në stacion policor ndër të tjerash i kishte thënë se “nuk e ka obligim të merret me të”.Madje madje ai ishte ankuar se është “lodhur” nga rasti i saj. Kjo dëgjohet me zë, e dihet saktësisht se është ai që neglizhoi krejtësisht punën e madje i tha tanimë të ndjerës se atë duhet ta dorëzojnë tek dera e shtëpisë.

Por as për Farukun s’ka ende ndonjë masë konkrete.

Madje sipas Inspektoratit, në kuadër të këtij procesi, “IPK do të shqyrtojë edhe të gjitha shqetësimet e ngritura në media lidhur me veprimet e ndërmarra nga zyrtarët policorë përgjegjës përfshirë por pa u kufizuar edhe komunikimin me viktimën, kohën e reagimit  dhe të secilit raportim që ndërlidhet me këtë rast”.

Nga Inspektorati Policor i Kosovës thonë se qëllimi i këtyre veprimeve është vlerësimi i ligjshmërisë dhe përputhshmërisë së veprimeve policore me procedurat dhe detyrimet ligjore, si dhe identifikimi i përgjegjësive eventuale individuale dhe institucionale.

“IPK mbetet e përkushtuar që në koordinim me institucionet kompetente të drejtësisë, të sigurojë trajtim profesional, të paanshëm dhe të gjithanshëm të kësaj çështjeje, në përputhje me mandatin ligjor dhe duke respektuar integritetin e procesit hetimor”,vazhdohet tutje.

Por rasti i Arlinda Zekaj është shqetësim për gjithë shoqërinë kosovare, për gratë të cilat janë të rrezikuara nga dhuna në familje e që nuk kanë mbështetje institucionale. Gratë të cilat rrezikohen thuajse çdo ditë, e pavarësisht kësaj nuk u ofrohen siguria që iu duhet.

Tani kur po bëhen gati 5 ditë nga kjo ngjarje, Policia e Kosovës ende nuk e ka suspenduar askënd, propozim të ngjashëm nuk ka bërë as Inspektorati Policor. Prokuroria e Shtetit ka bartur tri procese nga Prokuroria e Pejës në Prokurori të Shtetit, por asgjë tjetër. Kurse protestat që po zhvillohen në thelb kanë kërkesë që të dihen përgjegjësitë, të marrin përgjegjësinë që duhet dhe të dorëhiqen edhe ministri Xhelal Sveçla si dhe ministrja e Drejtësisë, koordinatorja Donika Gërvalla.

Krejt ky proces nuk është se ka ndonjë zhvillim, derisa kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se pret deri sot në ora 18:00 raportin nga këto dy ministri në lidhje me gjithë neglizhencën e rastit.

Në lidhje me rastin e Arlinda Zekaj, Policia ka arrestuar të dyshuarin pas disa ditëve në arrati.

Ai u arrestua nga Njësia Elitare “FIT”, kurse dje u morë venidmi për një muaj paraburgmi ndaj tij.

E në paraburgim vazhdon të jetë edhe vëllai i tij, Jeton Sylaj- ish bashkëshorti i Arlinda Zekaj me të cilin kanë edhe një djal.

Përpos këtyre veprimeve ende asnjë gjë tjetër nuk është ndërmarrë nga ky rast./Lajmi.net/

“A duhet me më vra Jetoni që ta arrestoni?” Prokuroria kërkon t’i caktohet masa e paraburgim Jeton Sylaj: I pandehuri s’e respektoi urdhrin