AME thotë se situata pas reshjeve të sotme, është stabile dhe plotësisht e menaxhueshme

Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka njoftuar se situata në nivel vendi është stabile, e qetë dhe plotësisht e menaxhueshme, pas reshjeve të shiut të ditës së sotme. AME ka bërë të ditur se Drejtoritë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit (NJPZSH), kanë intervenuar me shpejtësi dhe efikasitet në të gjitha…

Lajme

27/07/2026 21:54

Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka njoftuar se situata në nivel vendi është stabile, e qetë dhe plotësisht e menaxhueshme, pas reshjeve të shiut të ditës së sotme.

AME ka bërë të ditur se Drejtoritë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit (NJPZSH), kanë intervenuar me shpejtësi dhe efikasitet në të gjitha zonat e prekura.

Në Gjakovë e Rahovec, AME ka bërë të ditur se niveli i ujërave është në rënie dhe situata është nën kontroll e drejt stabilizimit. Po ashtu në Prizren e Suharekë, ka bërë të ditur se ka pasur raste të depërtimit të ujit në bodrume, objekte banimi dhe lokale afariste, por gjendja është stabilizuar.

Postimi i plotë:

Agjencia e Menaxhimit Emergjent/MPB raporton mbi situatën e krijuar nga reshjet atmosferike në Republikën e Kosovës

Prishtinë, 27 korrik 2026

Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME), përmes Qendrës Operative, njofton se pas reshjeve atmosferike të ditës së sotme, situata në nivel vendi është stabile, e qetë dhe plotësisht e menaxhueshme.

Sipas raportimeve nga Qendrat Operative Emergjente (QOE 112), Drejtoritë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit (NJPZSH), intervenimet janë realizuar me shpejtësi dhe efikasitet në të gjitha zonat e prekura.

• Gjakovë–Rahovec: Niveli i ujërave është në rënie. Janë sanuar rastet e raportuara në objekte banimi dhe shtretër lumenjsh, përfshirë fshatin Pataqan i Ulët. Situata është nën kontroll drejtë stabilizimit.

• Prizren–Suharekë: Janë trajtuar me sukses disa raste të depërtimit të ujit në podrume, objekte banimi dhe lokale afariste. Gjendja është stabilizuar.

• Prishtinë: Është evidentuar grumbullim uji në Shkabaj dhe në autostradën Prishtinë–Shkup (afër Marigona Residence), ku ekipet kanë ndërhyrë për normalizimin e qarkullimit.

Strukturat e AME-së, në koordinim me Qendrën Operative të MPB-së, Policinë e Kosovës dhe autoritetet komunale, mbeten në angazhim të vazhdueshëm 24/7 dhe vijojnë koordinimin në terren.

Sipas parashikimeve nga Instituti Hidrometorologjik i Kosovës si burim i vetëm zyrtar në dispozicion, i cili dërgoi parashikimin për ditën e sotme dhe ditëve ne vijim, e cila parashikon stabilizim të motit, përtej kësaj Agjencia e Menaxhimit Emergjent mbetet në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi apo përkeqësimi të mundshëm të situatës.

Apel për qytetarët: Për çdo emergjencë ose kërkesë për ndihmë, telefononi pa pagesë në numrin 112.