11-vjeçari që shet misra: Mbaj familjen me gjashtë anëtarë

Janë fëmijët punëtorë, që të detyruar nga varfëria deri në skamje e familjeve të tyre, u duhet të punojnë gjatë të gjithë sezonit për të fituar sadopak para.

Lajme

04/08/2015 08:44

Me dhjetëra prej tyre zgjohen që në agim dhe ecin çdo ditë të ngarkuar me produktet e tyre, në kërkim të një blerësi që rri nën çadër. Misra, fiq, kumbulla e fruta të tjera të stinës janë të ngarkuara në kurriz të fëmijëve që nuk janë më shumë se 12 vjeç. Përshkimi i bregdetit në kulmin e temperaturave që shënojnë deri në 40 gradë, është një stërmundim për moshën e tyre.

Por ata janë të detyruar të përballojnë lodhjen dhe temperaturat e larta dhe të vazhdojnë të tregtojnë gjatë të gjithë ditës pasi duan të ndihmojnë familjet e tyre që jetojnë në kushte të vështira ekonomike. Fëmijët vijnë kryesisht nga zonat përreth Shëngjinit, por edhe nga Mirdita e Kurbini.

“Jam 11 vjeç dhe kam ardhur nga Mirdita këtu në Shëngjin për të shitur. Zgjohem që në orën 06:00 të mëngjesit për të shitur misër këtu në plazh. E përshkoj në këmbë të paktën dy herë të gjithë vijën bregdetare të Shëngjinit dhe lodhja është tepër e madhe”, shprehet i mituri me inicialet E.M. Ai e nis punën që në muajin maj, kur në Shëngjin vijnë edhe pushuesit e parë.

I mituri shprehet se të ardhurat që ai siguron janë tepër të pakta, duke e krahasuar me lodhjen, por ai është i detyruar të mos dorëzohet pasi në familjen me 6 anëtarë veç ai është “i punësuar”. “Unë mund të fitoj në ditë 15 deri në 20 mijë lekë të vjetër. Prej dy vitesh dal gjatë gjithë sezonit turistik këtu në Shëngjin, duke shitur. Jemi të varfër, as nëna dhe as babai nuk janë në punë. Jemi katër fëmijë, por unë jam më i madhi. Halli na bën që të punojmë në moshë kaq të vogël që të sigurojmë sadopak lek që të jetojmë gjatë dimrit, pasi jemi të papunë si familje. Kjo është e vetmja mënyrë për të jetuar nuk kemi çfarë të bëjmë, pasi nuk kemi asnjë mbështetje nga shteti, ndaj jemi të detyruar që të punojmë që në moshë të vogël”, shprehet ai.

Ai thotë se e shumta mund të punojë edhe në shtator, më pas nis shkolla dhe e ka të pamundur të punojë. Një pjesë të parave që fiton me misrat, 11- vjeçari do t’i shpenzojë për të blerë librat dhe ndonjë rrobë të re për në shkollë. /Panorama/