Mbi 6 mijë aktakuza ngriti Prokuroria Speciale, 224 prej tyre për persona zyrtarë- Kush e për çka u hetua në vitin 2024?
Numër i konsiderueshëm aktakuzash u ngritën edhe këtë vit nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Anipse drejtuesit e shtetit e kritikuan Prokurorinë Speciale, kinse për vonesa e mos efikasitet, por prokurorët vazhduan të punonin pikërisht për rastet e rënda të cilat kanë ndodhur e vazhdojnë të ndodhin në vendin tonë. E veprat penale, nga ato prej…
Lajme
Numër i konsiderueshëm aktakuzash u ngritën edhe këtë vit nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Anipse drejtuesit e shtetit e kritikuan Prokurorinë Speciale, kinse për vonesa e mos efikasitet, por prokurorët vazhduan të punonin pikërisht për rastet e rënda të cilat kanë ndodhur e vazhdojnë të ndodhin në vendin tonë.
E veprat penale, nga ato prej më të rëndave duket se nuk patën të ndalur duke pasur parasysh edhe numrin e aktakuzave të ngritura.
Pas procedurës hetimore, me urdhër ndëshkimor, të drejtpërdrejta, për korrupsion e krim të organizuar si dhe për krime lufte, ishin disa nga çështjet kyçe në kuadër të të cilave u ngritën aktakuzat.
Në përgjigjen e dhënë për lajmi.net nga Prokuroria Speciale thuhet se vetëm nga të dhënat e siguruara për nëntë muajt e parë të vitit 2024 janë ngritur 6 mijë e 241 aktakuza pas procedurës ndëshkimore, 1 mijë 647 me kërkesë për urdhër ndëshkimor dhe 5 mijë e 549 aktakuza të drejtpërdrejta.
Këtij totali aktakuzash, nuk arritën ti shmangeshin madje as personat në detyrë zyrtare.
Për këta nëntë muaj, gjithsej aktakuza për persona në detyrë zyrtare janë ngritur 224, e ku natyrisht vepra kryesore penale lidhej me korrupsionin.
Korrupsioni ishte e duket se mbetet ndër problemet madhore të brendshme të vendit.
Zyrtarë të institucioneve të ndryshme, ish-ministra, zyrtarë policorë, zyrtarë komunalë e ish politikanë të njohur ishin të përfshirë në këto aktakuza.
E natyrisht se aktakuza e këtij viti apo më e rëndësishmja e ngritur nga Prokuroria Speciale ishte ajo në rastin Banjska.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) të mërkurën (11 shtator) ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 personave të tjerë për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile”.
Padyshim që për një vit radhazi deri në ngritjen e aktakuzës e edhe pas ngritjes së saj, tema e sulmit terrorist në Banjskë ishte në kryeqendër të diskutimeve.
Kjo për shkak të rëndësisë së saj.
Pak ditë para se të bëhej një vit, Prokuroria Speciale e Kosovës ngrit aktakuzën ndaj Milan Radoiçiqit dhe 44 personave të tjerë të dyshuar për sulmin terrorist në Banjskë të Zvecanit. Sulm ky i cili u cilësua si terrorist dhe la të vdekur zyrtarin Afrim Bunjaku ndodhi 24 shtatorin e 2023-tës. Vlen të ceket se pasojat e planit për sulmin e Banjskës armatim i paramenduar për përdorim në sulmin në fjalë është gjetur ende edhe shumë vonë, madje një pjesë në sulmin që ndodhi mbi infrastrukturën kritike të Kosovës në kanalin e Ibër-Lepencit më datën 29 nëntor.
Aktakuza u ngritën edhe ndaj atyre që në detyra zyrtare erdhën pikërisht nga vota e popullit, me premtime për ndalim të keqpërdorimeve e punë vetëm në të mirë të qytetarëve.
Disa prej ministrave u ftuan për intervistim, e shumë zyrtarë të po këtyre ministrive edhe po akuzohen hetohen nga Prokuroria në lidhje me raste të ndryshme korruptive.
Kjo rëndohet edhe më shumë kur e kuptojmë në të vërtetë arsyen se pse të njëjtit u akuzuan.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 26 personave që dyshohen për veprën “Marrje e ryshfetit, e që ishin zyrtarë policorë me detyrë në Pikën Kufitare në Vermicë.
E jashtë akuzave “nuk shpëtuan” as ata që supozohet që në mbrojtje të vendit e në luftim të dukurive negative të vihen thuajse të parët.
“Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ka ngritur aktakuzë kundër 12 zyrtarëve policorë, të cilët dyshohen për ryshfet. Disa prej tyre dyshohet për marrje të ryshfetit, ndërsa pjesa tjetër për dhënie të ryshfetit, njoftoi Prokuroria”
Në mënyrë të drejtpërdrejtë, ata kanë pranuar para në shuma të ndryshme, me qëllim që të mos e kryejnë veprimin zyrtar të cilin ata duhej ta kryenin, si mbikëqyrjen e rregullt doganore dhe kontrollin e rregullt kufitar.
Kurse në këtë kuadër hetimeve për krime lufte u ngritën 10 aktakuza.
Ndonëse sfiduese sepse Serbia nuk i dorëzon të akuzuarit në çfarëdo rasti, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se ka qenë e rëndësishme të adresohet gjykimi në mungesë për krime lufte.
Gjykimi në këtë formë ndodhi për herë të parë në Kosovë në vitin 2023 dhe mund të procedohet vetëm pasi të dërgohen pesë ftesa në shtetin përkatës e të jenë shpallur në kërkim për hetim në procedurë penale për së paku gjashtë muaj në gazetën zyrtare.
“Tani mund të ndiqen penalisht ata që përpiqen të shmangin përgjegjësinë për krimet që kanë kryer. Në bazë të të dhënave siguruar nga sistemi i drejtësisë Departamenti për Krime Lufte, tashmë janë 67 aktakuza të ngritura në 62 raste ndaj 174 personave nga të cilat 10 raste janë duke u gjykuar në mungesë dhe pritet që ky numër pritet të rritet në vazhdimësi. Duke pasur parasysh që Serbia nuk i dorëzon kriminelët e luftës e as terroristët që kryejnë sulme terroriste në kohë të paqes ka qenë e rëndësishme të adresohet gjykimi në mungesë për krime lufte”, tha Haxhiu.
Për dallim nga viti që lamë pas, viti 2023 kishte përfunduar me më shumë aktakuza të ngritura për krime lufte.
15 aktakuza për krime lufte janë ngritur gjatë vitit 2023 nga Prokuroria Speciale. Tetë prej tyre të gjykimit në mungesë.
Sfiduese mbetet hetimi e zbulimi i rasteve që e dëmtojnë shtetin e Kosovës, sa i përket korrupsionit. Natyrisht se sado akuza që janë ngritur në këtë vit assesi nuk është arritur ende që këto raste të hetohen plotësisht e të dihet se kush dhe sa në fakt e dëmtuan buxhetin shtetërorë./Lajmi.net/