Kosovarët po e braktisin punimin e tokave, vetëm 32 mijë fermerë janë aktiv- Gruri, misri dhe vreshtat u mbollën më shumë

Kushdo që i bie të lëvizë nëpër Kosovë, qartazi mund të shohë se sa shumë toka të papërpunuara janë përgjatë gjithë stinorëve. Kosovarët, që dikur njiheshin si punonjës të mëdhenj të tokave e të mbjellurave nga viti në vit vese i kanë braktisur ato. Shqetësuese është fakti se largimi i tyre nga Kosova në vendet…

Lajme

02/01/2025 22:01

Kushdo që i bie të lëvizë nëpër Kosovë, qartazi mund të shohë se sa shumë toka të papërpunuara janë përgjatë gjithë stinorëve.

Kosovarët, që dikur njiheshin si punonjës të mëdhenj të tokave e të mbjellurave nga viti në vit vese i kanë braktisur ato.

Shqetësuese është fakti se largimi i tyre nga Kosova në vendet e shumta të Evropës e solli edhe faktin e mos-punimit të tokave.

Sado që të ketë të mbjellura, sërish janë pak e kjo gjë vërehet qartë në vlerat e larta të importit në Kosovë në kuadër të shumë produkteve që të do të mund të siguroheshin nga tokat tona, nëse ato do të punoheshin.

E mos-lehtësimi i procedurave dhe përkrahja e mangët e institucioneve përgjegjëse ka ndikuar që kosovarët të punojnë edhe më pak në këto toka.

E ky numër i ulët ndikoi qartazi edhe në djerrinë të papërpunuara e numër të ulët të fermerëve të cilët janë të regjistruar, por vetëm si numër.

Bazuar në të dhënat në Regjistrin e Fermës “EFR NIF-it”, në Kosovë janë të regjistruar 92 mijë fermerë, por që aktiv janë 32 mijë deri në 35 mijë fermerë.

Nga Ministria e Bujqësisë për lajmi.net, kanë thënë se gjatë këtij viti sipas të dhënave të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, në bazë të aplikimeve të fermerëve për mbështetje përmes subvencioneve për vitin 2024, sipërfaqet e mbjella me kultura bujqësore arrijnë në 128 milionë e 076 mijë e 17 hektarë.

Përgjatë katër viteve qeverisje kjo ministri thonë se morën një hap tejet të rëndësishëm ku tashmë pagesat edhe fermerët do të mund t’i kryejnë bazuar në aplikacionet në kuadër të programit për pagesa direkte/subvencione 2024.

E në vendin tonë fokusi i të mbjellurave është më tepër në tri pika, derisa shumë anash nuk mbeten as produktet e tjera por që janë më të pakta.

Por cilat mbeten tri kulturat me sipërfaqe më të madhe të të mbjellurave gjatë këtij viti në Kosovë?

-Gruri

-Misri

-Vreshtat

“Po ashtu, bazuar në aplikacionet e fermerëve në kuadër të Programit për Pagesa Direkte/Subvencione 2024, tri kulturat bujqësore që këtë vit janë mbjellë në sipërfaqe më të mëdha del të jenë gruri me total 54,318.71 ha, misri me 49,379.70 ha, vreshtat me 2,840 ha“, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.

Ndryshe sipas tyre metoda e rritjes së mbështetjes së Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural përmes Programit për Pagesa Direkte/Subvencione ka ndikuar që të mbjellat me kultura bujqësore në vendin tonë të rriten në vitet e fundit, e bashkë me këtë edhe rendimentet e kulturave bujqësore.

“Theksojmë se rritja e mbështetjes së Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural përmes Programit për Pagesa Direkte/Subvencione ka ndikuar që të mbjellat me kultura bujqësore në vendin tonë të rriten në vitet e fundit e bashkë me këtë edhe rendimentet e kulturave bujqësore”, thuhet në përgjigje.

Pavarësisht kësaj, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në muajin nëntor ishte përfshirë në një skandal, ku bëhej fjalë për favorizime në grante e që kishte lidhje me nepotizëm (lidhje familjare).

Më konkretisht të përfshirë ishin ministri i këtij dikasteri Faton Peci dhe nënkryetarja e Komisionit për Bujqësi Fitore Pacolli.

Deputetja e kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Fitore Pacolli dyshohet ia mundësoi ndarjen e 100 mijë eurove vëllait të saj Blerimit dhe 100 mijë euro edhe dajës së saj, Sylejman Islamit. Lidhja e mirë në mes Pacollit dhe ministrit duket se iu doli për mbarësi prej mijëra eurove familjarëve të saj.

Mirëpo ministri Peci ende pa u bërë një javë nga ky skandal kur ishte raportuar nëpër media për grantin rreth 60 mijë euro e kishte pezulluar të njëjtin. Gjithashtu ishin pezulluar edhe grantet e dhëna për zyrtarë të tjerë, siç ishte këshilltari i ministrit Huruglica.

Në arsyetimin për vendimin e marrë, thuhej se kjo vjen pas raportimeve të mediave në lidhje me parregullsi në dhënien e këtij granti. /Lajmi.net/