Shërbimet civile do të ndalohen për qytetarët që nuk deklarojnë adresën zyrtare
Të gjithë qytetarët e Kosovës që nuk e kanë deklaruar adresën zyrtare, nga data 1 gusht e këtij viti, nuk do të mund të pajisen me dokumentet që lëshohen nga Agjencia e Regjistrit Civil (ARC) dhe Agjencia Kadastrale e Kosovës (AKK). Kështu u theksua në një konferencë për media të organizuar nga AKK-ja, ku u…

Lajme
Të gjithë qytetarët e Kosovës që nuk e kanë deklaruar adresën zyrtare, nga data 1 gusht e këtij viti, nuk do të mund të pajisen me dokumentet që lëshohen nga Agjencia e Regjistrit Civil (ARC) dhe Agjencia Kadastrale e Kosovës (AKK).
Kështu u theksua në një konferencë për media të organizuar nga AKK-ja, ku u bë thirrje qytetarëve që të deklarojnë adresën e tyre zyrtare, me qëllim të lehtësimit të qasjes në shërbime dhe ndërtimit të një shteti më funksional dhe gjithëpërfshirës.
Drejtori i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Avni Ahmeti tha se mbi 220 mijë qytetarë tashmë e kanë bërë deklarimin e adresës, porse theksoi se kjo nuk është e mjaftueshme.
Ahmeti: Pa deklarimin e adresës zyrtare, qytetarët nuk mund të pajisen me çertifikatën të lindjes apo çertifikatën të pronës
“Qëllimi i kësaj konference është që t’i informojmë të gjithë qytetarët që nuk e kanë deklaruar adresën zyrtare se nga data 1 gusht e këtij viti, nuk do të mund të pajisen me dokumentet që lëshohen nga ARC dhe AKK. Për më tepër, pa deklarimin e adresës zyrtare, qytetarët nuk mund të pajisen me certifikatën të lindjes apo certifikatën të pronës”, tha Ahmeti.
Ahmeti potencoi se deklarimi i adresës zyrtare është një obligim ligjor dhe një akt përgjegjësie qytetare që i takon gjithsecilit.
Sipas tij, një qytetar pa adresë zyrtare është një qytetar i përjashtuar nga sistemi.
Ahmeti: Një qytetar pa adresë zyrtare është një qytetar i përjashtuar nga sistemi
“Sot, me krenari mund të themi se janë mbi 220 mijë qytetarë që tashmë e kanë bërë deklarimin e adresës zyrtare. Kjo është inkurajuese, por ende jo e mjaftueshme. Sepse në një shtet modern e të organizuar, secili qytetar duhet të jetë i regjistruar me adresë të saktë – ashtu siç në një shtet modern dhe funksional…E kemi thënë shumë herë dhe e theksojmë sërish: deklarimi i adresës zyrtare është një obligim ligjor, por mbi të gjitha është një akt përgjegjësie qytetare që i takon gjithsecilit. Një qytetar pa adresë zyrtare është një qytetar i përjashtuar nga sistemi”, tha Ahmeti.
Ahmeti: Pa adresë të saktë, nuk mund të ketë plane zhvillimore reale
“Pa adresë të saktë, nuk mund të ketë plane zhvillimore reale, nuk mund të ketë shërbime cilësore, siç janë ato administrative e deri tek ato më emergjente siç janë shërbimet ambulante, zjarrfikësit apo policia”, tha Ahmeti.
Ndërkaq, drejtori i Agjencisë së Regjistrit Civil, Blerim Camaj tha se qytetarët në të gjithë Kosovën nuk do të mund të pajisen me asnjë shërbim civil nëse nuk e deklarojnë adresën zyrtare.
Camaj: Të gjitha shërbimet e gjendjes civile do të kushtëzohen dhe do të ndalohen nëse nuk deklarohet adresa zyrtare
“Të gjitha shërbimet e gjendjes civile do të kushtëzohen dhe do të ndalohen. Qytetarët nuk mund të pajisjen me çertifikata siç janë certifikata e lindjes, martesës, vdekjes dhe shërbimet e tjera të gjendjes civile nëpër gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, tha Camaj./kp