Shoferët që nuk ndalen te hekurudha do të gjobiten, Policia merr masa

Brenda një periudhe të shkurtër kohore, në fshatin Stupë kanë ndodhur dy aksidente të rënda me tren, çka ka nxitur reagimin e menjëhershëm të Policisë së Kosovës. Si pasojë, sot gjatë ditës, Policia ka ndërmarrë masa konkrete për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen. Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, përmes Stacionit Policor…

Lajme

23/04/2025 18:59

Brenda një periudhe të shkurtër kohore, në fshatin Stupë kanë ndodhur dy aksidente të rënda me tren, çka ka nxitur reagimin e menjëhershëm të Policisë së Kosovës.

Si pasojë, sot gjatë ditës, Policia ka ndërmarrë masa konkrete për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, përmes Stacionit Policor në Klinë, ka filluar një aksion të mbikëqyrjes së vijës hekurudhore që kalon përmes kësaj zone.

Operacioni ka nisur në orën 08:30 të mëngjesit dhe synon të verifikojë nëse shoferët po ndalojnë në vendkalimet hekurudhore ku është e vendosur shenja “STOP”.

“Në kuadër të këtij aksioni, janë marrë masa konkrete ndaj shoferëve që nuk i respektojnë shenjat e komunikacionit në vendkalimet hekurudhore, si pjesë e përpjekjeve për të rritur sigurinë dhe ndërgjegjësimin”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia ka njoftuar gjithashtu se ky operacion do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, ndërsa kundërvajtësit do të gjobiten pa kompromis.

“Që nga mëngjesi e deri tani janë shqiptuar dhjetëra gjoba, me qëllimin e vetëm që vozitësit të vetëdijësohen, veçanërisht pasi mosrespektimi i rregullave në këto zona po kushton jetë njerëzish. Apelojmë tek të gjithë qytetarët, në veçanti shoferët, të tregojnë kujdes të shtuar në drejtimin e automjeteve, sidomos në pjesët ku rruga kalon mbi binarë”, thuhet më tej në njoftim.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar dhe respektim të rregullave të trafikut për të shmangur tragjedi të ngjashme në të ardhmen.