Aktgjykimi ndaj Gashit e Mustafës, i bëri deputetë Imerin e Zogajn
Latif Gashi e Rrustem Mustafa nga PDK-ja, nuk janë më deputetë të Kuvendit të Kosovës. Ata në poste pasohen nga Abdyl Imeri e Bislim Zogaj. Por deputetët e rinj thonë të mos jenë fort të lumtur që duhet të ulën në vendin e dy figurave që për ta janë të respektuara për luftën që bën dhe kontributin që dhanë në Kuvend, transmeton lajmi.net.

Lajme
Abdyl Imeri sërish u bë deputet. Ashtu sikurse pas zgjedhjeve të vitit 2010, kur u desh ta zëvendësojë në detyrën e deputetit, ish Kryeministrin Hashim Thaçi, tash duhet ta zëvendësojë një figurë tjetër të PDK-së.
Imeri tashmë është deputet i Kuvendit të Kosovës që zëvendëson Latif Gashin, i cili e dorëzoi mandatin e deputetit, pasi Gjykata e Apelit e shpalli fajtor me aktgjykim të formës së prerë, për veprën penale të krimeve të luftës.
“Në vitin 2010 e zëvendësova Thaçin pasi ai mori postin e Kryeministrit dhe unë isha në listë sipas rezultateve të KQZ-së”, thotë Imeri për lajmi.net.
Por për Imerin, historia po përsëritet, edhe pse në një mënyrë tjetër.
“Tash sërish kam marr mandatin e deputetit, por duke zëvendësuar vendin që e la bosh Latif Gashi, pasi ai dorëzoi mandatin”, thotë Imeri, i cili shpjegon se në këtë rast nuk ndihet i lumtur.
“Ndjej keqardhje për mënyrën se si duhet ta zëvendësoj Latif Gashin”, thotë ai.
“Nga 17 dhjetori të vitit të kaluar, Presidentja e ka nënshkruar mandatin tim. Tash pres që në një seancë të bëj edhe betimin”, thotë Imeri për lajmi.net.
(Rrustem Mustafa dhe Latif Gashi, tashmë ish deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës)
Latif Gashi, deputet i PDK-së, dorëzoi mandatin pasi Gjykata e Apelit e shpalli fajtor dhe e dënoi me aktgjykim të formës së prerë, me disa vjet burg për veprën penale të krimeve të luftës.
Bashkë me Gashin, është dënuar edhe Rrustem Mustafa (PDK), gjithashtu deputet i Kuvendit të Kosovës.
Edhe Mustafa, tashmë publikisht, deklaroi se ka dorëzuar mandatin e deputetit. Sipas procedurave ligjore, atë do ta zëvendësojë Bislim Zogaj, raporton lajmi.net.
Por ai thotë se askush nuk e ka njoftuar. “As unë nuk e di më shumë se çfarë po shkruajnë mediat, vetëm e di që me vota, jam pas Abdyl Imerit”, thotë Zogaj për lajmi.net. “Pres të më kontaktojnë nga Kuvendi”, thotë ai.
Edhe Zogaj thotë të mos ndjehet mirë se si kanë rrjedhur ngjarjet në mënyrë që ai ta zëvendësojë Rrustem Mustafën, i njohur gjatë luftës së UÇK-së si komandant Remi.
“Pa dashur të merret kjo si ndërhyrje, megjithatë nuk më vjen mirë se si ka ardhur puna dhe për mua është e vështirë ta zë vendin e Mustafës”, thotë Zogaj, raporton lajmi.net.
Ai thotë se nuk do të donte të bëhet deputet në këtë mënyrë, megjithatë derisa çështja është si është, shprehet se nuk e ka idenë se kur mund ta japë betimin si deputet, pasi nuk e di se kur mund të mbahet seanca e radhës.
Sipas rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2014, bazuar në renditjen e votave të fituara, Abdyl Ymeri me 8,549 vota, e zëvëndëson Latif Gashin, kurse Bislim Zogaj me 8,500 vota e zëvendëson Rrustem Mustafën.
Të dy deputetët e rinj, Imeri e Zogaj vijnë nga rajoni i Drenicës, përkatësisht Skenderaj e Drenasi./lajmi.net