Arrestohen katër dasmorë që gjuajtën me armë

Gjatë javës që e lamë pas, policia rajonale e Ferizajt ka intervenuar në gjashtë raste që për motiv kanë pasur të shtëna të pakontrolluara në dasma, ahengje dhe në kolona dasmorësh. Bëhet e ditur me këtë rast se katër persona janë shoqëruar në polici, ndërsa janë konfiskuar edhe disa armë dhe municione.

Lajme

10/08/2015 15:25

Zv. drejtori rajonal i policisë, majori Basri Shabani, ka thënë për KosovaPress se policia ka konfiskuar një pushkë gjuetie, një pistoletë të tipi TT, kaliber 7.62 mm, dy pistoleta me gas të tipit Ekol special, një pushkë ajrore dhe 22 copë fishekë kalibrash të ndryshëm.

Në konsultim me Prokurorinë e Shtetit, të gjitha rastet janë kualifikuar si, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, përkatësisht, “Armëmbajtje pa leje”, ndërsa rastet janë proceduar me procedurë të rregullt gjyqësore”, ka thënë Shabani.

Merret vesh se policia është duke punuar në zbardhjen edhe të dy rasteve të tjera, në të cilat është shtënë me armë zjarri në kolonë dasme dhe është në kërkim të dy personave të dyshuar lidhur me këto dy raste.

Policia duke u nisur nga këto raste u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar në dasma dhe ahengje familjare,ndërsa ka kërkuar nga qytetarët që t’i raportojnë të gjitha rastet.

“Policia është e obliguar t’i ndërmarr të gjitha veprimet dhe masat përkatëse ligjore në parandalimin e këtyre rasteve dhe në mbrojtje e jetës së qytetarëve”, tha Shabani. (KP)