100 vitet e shkollimit shqip në Koshtovë të Mitrovicës

Shkolla fillore “Jusuf Rexha”, në fshatin Koshtovë të Mitrovicës, ka shënuar sot 100-vjetorin e themelimit të saj.

Lajme

05/06/2015 23:52

Në këtë përvjetor morën pjesën nënkryetari i Komunës, Safet Kamberi, drejtoresha e arsimit, Ajmane Barani, përfaqësues te institucioneve të tjera, mësimdhënës dhe qytetarë të shumtë.

Në fjalën e tij të rastit, nënkryetari Kamberi, tha se çdoherë në përvjetorë të këtilla është kënaqësi të jesh pjesëmarrës.

“Është një koincidencë sepse në vitin 1902, ishte Isa Boeltini me Hasan Prishtinën, të cilët kontribuuan në hapjen e kësaj shkolle shqipe, e cila u hap me 10 qershor të vitit 1915 dhe pikërisht me 10 qershor të këtij viti, do të bëhet rivarrimi i eshtrave të heroit Isa Boletini në fshatin e tij të lindjes në Boletin”, tha Kamberi.

Ai falënderoj të gjithë arsimtarët dhe veteranët e arsimit që kanë dhënë kontributin tyre për arsimin, duke vlerësuar se ata me kontributin e tyre në arsimimin e popullit na ndihmuan që ta kemi më lehtë përball pushtuesve tanë.

“Arsimi gjithnjë ka qenë shtyllë e rezistencës së këtij vendi, për çka u jemi shumë mirënjohës. Falënderim i veçantë u takon dëshmorëve, të cilët më sakrificën e tyre bënë që ne sot ta gëzojmë lirinë. Ndërsa, tani në liri mbetet përgjegjësi e Republikës së Kosovës, Ministrisë së Arsimit dhe komunave që të investojnë në ngritjen e kapaciteteve dhe nivelit të arsimit, sepse çdo investim në këtë fushë do të thotë investim në perspektiven e shoqërisë dhe shtetit tonë”, tha nënkryetari Kamberi.

Në shënimin e përvjetorit të 100-të të shkollës “Jusuf Rexha”, që është një ndër shkollat e para shqipe në Mitrovicë dhe rrethinë, u fol edhe për punën e këtij institucioni shkollorë, që nga themelimi e deri më sot, duke përcjell kuadro të çmuara.